Telegrafi

Isco ende nuk ka vendosur për të ardhmen, ka katër oferta në tavolinë

Isco është larguar nga Real Madridi pas nëntë viteve qëndrim në ‘Santiago Bernabeu’.

Mesfushorit spanjoll i përfundoi kontrata dhe u largua si futbollist i lirë nga Los Blancos pas përfundimit të sezonit 2021/22.

30-vjeçari ende nuk ka vendosur për të ardhmen e tij, pasi ka katër oferta në tavolinë nga tre kampionate të rëndësishme.

Dy rivalët e qytetit, Real Betis dhe Sevilla duan ta mbajnë Iscon në La Liga, derisa spanjolli kërkohet edhe nga Roma në Serie A dhe Galatasaray në elitën e futbollit turk.

Reprezentuesi spanjoll edicionin e fundit nuk kishte shumë hapësira nga trajneri Carlo Ancelotti duke zhvilluar vetëm 17 ndeshje, derisa shënoi dy gola në 407 minuta të luajtura në total.

Për mesfushorin interesim kanë shprehur edhe skuadrat amerikane, por qëllimi i tij është të mbetet në Evropë pasi synon të marrë ftesë nga Spanja për Kampionatin Botëror.

Gjithsesi sipas mediave spanjolle, Isco do të vendos brenda muajit qershor për skuadrën e tij të re. /Telegrafi/