Telegrafi

Irani thotë se amerikanët dhe britanikët nuk do të arrijnë asgjë me sulmet ndaj Houthive

Irani ka kritikuar ashpër sulmet e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe ndaj objektivave Houthi në Jemen, duke i quajtur ato “arbitrare” dhe “shkelje të ligjit ndërkombëtar”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Nasser Kanani tha se Irani, i cili mbështet Houthit, si dhe militantët e Hamasit dhe Hezbollahut në Liban, “dënon fuqishëm sulmet ushtarake … këtë mëngjes në disa qytete të Jemenit”.

“(Sulmet) ishin një akt arbitrar, një shkelje e qartë e sovranitetit dhe integritetit territorial të Jemenit dhe një shkelje e ligjeve e rregullave ndërkombëtare”, tha ai, raporton france24.

Lexo po ashtu Minutë pas minute – pamje dhe detaje rreth sulmeve të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe kundër Houthi-ve të mbështetur nga Irani në Jemen

SHBA, Britania e Madhe dhe aleatët thanë në një deklaratë të përbashkët pas sulmeve ajrore se qëllimi i tyre ishte të “zhvlerësonin tensionet dhe të rivendosnin stabilitetin në Detin e Kuq”.

Por, Kanani paralajmëroi se sulmet “nuk do të kenë asnjë rezultat tjetër përveçse të inkurajojnë pasigurinë dhe paqëndrueshmërinë në rajon”, si dhe “të shkëpusin vëmendjen e botës nga krimet në Gaza”, ku Izraeli po lufton Hamasin.

Ndryshe, një zëdhënës ushtarak i Houthive tha se 73 sulmet rezultuan në vdekjen e pesë luftëtarëve të tyre dhe plagosjen e gjashtë të tjerëve. /Telegrafi/