Zyrtarët iranianë kanë thënë se do të dërgojnë në Ukrainë për analiza të mëtejshme, kutinë e zezë të aeroplanit që e qëlloi aksidentalisht, ku mbetën të vdekur 176 udhëtarë.
Hassan Rezaeifer, kreu i hetimeve të aksidenteve për departamentin e aviacionit civil, tha se nuk ishte e mundur të lexohet kutia e zezë e këtij aeroplani në Iran, por nuk komentoi më shumë, transmeton Telegrafi.
Ai tha se ekspertët francezë, amerikanë dhe kanadezë do të ndihmojnë në analizimin e të dhëna në kryeqytetin ukrainas, ndërsa nëse këto hulumtime nuk përfundojnë me sukses, atëherë do të dërgohen në Francë.
Garda Revolucionare e Iranit, aksidentalisht e goditi aeroplanin vetëm dy minuta pasi u ngrit nga Teherani tetë janar, duke vrarë të gjithë 176 njerëzit në bord.
Kjo gardë kishte nisur raketa balistike ndaj trupave amerikane në Irak, si kundërpërgjigje për sulmin ajror amerikan, që vrau komandantin e lartë të Iranit, gjeneral Qassem Soleimani. /Telegrafi/