Telegrafi

Irani nën hetimet e OKB-së – dronët iranianë ndihmojnë rusët në pushtimin e Ukrainës

Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania kërkuan sot një hetim të Kombeve të Bashkuara mbi pretendimet se Rusia përdori drone me origjinë iraniane për të sulmuar Ukrainën.

Në një letër të nënshkruar nga të dërguarit e tyre në OKB, grupi i tre shteteve evropiane i njohur si E3 mbështeti thirrjen e Ukrainës për një hetim të tillë, duke argumentuar se përdorimi i dronëve shkeli Rezolutën 2231 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila mbështet marrëveshjen bërthamore të Iranit të vitit 2015.

Ukraina pretendon se Rusia përdori municione drone iraniane “shahed-136” që lundrojnë drejt objektivit të tyre përpara se të bien me shpejtësi të lartë dhe të shpërthejnë në përplasje.

Teherani mohon se ka furnizuar me dronë Moskën dhe Rusia mohon që forcat e tij kanë përdorur drone iraniane për të sulmuar Ukrainën.

“Ne do të mirëpresim hetimin e Sekretariatit të OKB-së përgjegjës për monitorimin e zbatimit të Rezolutës 2231 dhe jemi të gatshëm të mbështesim punën e Sekretariatit në kryerjen e hetimeve të tij teknike dhe të paanshme”, thuhet në letrën e tre vendeve evropiane.

Vihet re se Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres tradicionalisht raporton dy herë në vit, në qershor dhe dhjetor, në Këshillin e Sigurimit për zbatimin e rezolutës së vitit 2015 dhe çdo vlerësim i dronëve në Ukrainë ka të ngjarë të përfshihet në atë raport. /Telegrafi/