Site icon Telegrafi

IPK: Suspendimi i policit është bërë nga Policia e Kosovës, ne nuk e rekomanduam

Polici Amir Hoxha është suspenduar nga puna për tri ditë, pasi ka kritikuar shpenzimet e deputetëve dhe që i njëjti ka shprehur pakënaqësinë e tij për mospagesën e shujtave për policët.

Polici Hoxha përmes një postimi në Facebook, ditën e premte kishte shkruar se nuk janë duke marrë shtesat për shujta, përkundër se iu takojnë me ligj, transmeton Telegrafi.

E lidhur me këtë ka sqaruar sot Inspektorati Policor i Kosovës, duke thënë se IPK nuk ka bërë ndonjë rekomandim për suspendim dhe se ky suspendim është bërë nga Policia e Kosovës.

IPK thekson se rekomandimi për suspendim nga IPK bëhet në rastet e hetimit të veprave penale dhe kur është në interes të procedurës hetimore – penale.

Lexo po ashtu Kritikoi shpenzimet e deputetëve dhe u ankua se nuk po marrin shtesat e shujtave, suspendohet për tri ditë nga puna polici Hoxha

Lexoni të plotë njoftimin e IPK-së

“Inspektorati Policor i Kosovës sot që nga orët e hershme të mëngjesit ka pranuar kërkesa të shumta lidhur me suspendimin e një zyrtari policor  në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës .

Duke ju referuar kërkesave të shumta ju njoftojmë se Inspektorati Policor i Kosovës nuk është duke e trajtuar këtë rast dhe nuk ka bërë ndonjë rekomandim për suspendim dhe se ky suspendim është bërë nga Policia e Kosovës.

Bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së hetuesit e IPK-së hetojnë të gjitha veprat  penale të kryera nga punonjësit e Policisë së Kosovës, pa dallim grade dhe pozite gjatë ushtrimit së detyrës ose jashtë saj.

Rekomandimi për suspendim nga IPK bëhet në rastet e hetimit të veprave penale dhe kur është në interes të procedurës hetimore – penale”. /Telegrafi/

Exit mobile version