Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve, i kanë rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e dy zyrtarëve policorë (një togeri dhe një zyrtari policor).
Në njoftimin për median thuhet se hetuesit e IPK-së në konsultim me Prokurorinë e Shtetit janë duke ndërmarrë veprime hetimore ndaj dy zyrtarëve policorë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare” dhe “Dhënia e ndihmës kryeseve pas kryerjes penale”.
“Hetimi i këtij rasti është vazhdimësi e hetimit të rastit të mëhershëm ku IPK ka arrestuar një zyrtar policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të ‘Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit’ dhe ‘Manipulim me prova’”, thuhet në njoftimin për media.
IPK-ja më 24 maj 2022, pati njoftuar se ka arrestuar një zyrtar policor në Drejtorinë Rajonale të Mitrovicës së Veriut me dyshimin se i njëjti ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit” dhe “Manipulim me prova”.
Zyrtari policor ishte arrestuar për shkak të dëmtimit të provave nga aksioni i 23 majit 2022, për shkatërrimin e laboratorit të drogës në Izvor të Zveçanit.
Sipas IPK-së, ky zyrtar policor dyshohet se ka dëmtuar disa kamera të sigurisë dhe pajisje të tjera në afërsi të vendit të ngjarjes ku është zhvilluar operacioni i përbashkët anti-drogë i policisë dhe doganës në fshatin Izvor të Zveçanit. /Telegrafi/