Trajneri i Interit, Simone Inzaghi, ka folur për Romelu Lukakun përpara ndeshjes së sonte të xhiro së parë të Serisë A kundër Monzas.
Kujtojmë se Lukaku e kaloi sezonin e kaluar në Inter si huazim nga Chelsea, por për shkak të lëndimeve nuk mundi të vinte në formë dhe ta ndihmonte seriozisht klubin.
Mediat italiane raportojnë se marrëdhënia mes sulmuesit belg dhe Interit u shemb kur u zbulua se Lukaku kishte marrë oferta nga klube të tjera, megjithëse Interi shpresonte ta blinte nga Chelsea.
“Falënderoj Lukakun për gjithçka që na dha sezonin e kaluar. Doja ta mbaja, por ai mori një vendim tjetër. Jam i zhgënjyer se si përfundoi gjithçka sepse familja Inter e priti mirë”, ka thënë ‘timonieri’ i Interit.
Tutje Inzaghi foli për afatin kalimtar dhe komplikimet që di të sjellë. “Afati kalimtar veror është i komplikuar pothuajse për të gjithë. Ne humbëm disa nga lojtarët më të mirë në Itali, por sollëm zëvendësime premtuese që do të na ndihmojnë”.
“Ndryshuam shumë lojtarë, disa me qëllim dhe disa u larguan me dëshirën e tyre”, ka thënë Inzaghi.
Nga Interi janë larguar Marcelo Brozovic, Andre Onana, Samir Handanović, Milan Skriniar, Edin Dzeko dhe Danilo D’Ambrosio./Telegrafi/