Administrata Kombëtare e Aeronautikës dhe Hapësirës (NASA), ka njoftuar mbylljen e dy qendrave të prodhimit dhe testimit të raketave, pasi një inxhinier në një strukturë kontraktoi coronavirusin.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Qendra Hapësinore Stennis në Mississippin jugor dhe Objekti i Asamblesë së Michoud, rreth 40 milje larg New Orleans do të ndalojnë operacionet, ndërsa lajmi u konfirmua të enjten nga Administratori i NASA-s, Jim Bridenstine.
Raportohet se masa u kërkua nga “Faza 4” e udhëzimeve të NASA-s, si përgjigje ndaj fatkeqësive, të cilat rekomandojnë mbyllje të plotë për objektet në kushte emergjente.
“Ndryshimi në Stennis u bë për shkak të rritjes së numrit të rasteve Covid-19 në komunitetin rreth qendrës, dhe një rast të konfirmuar në mesin e ekipit tonë Stennis”, shkroi Bridenstine.
“Megjithëse nuk ka raste të konfirmuara në Michoud, objekti po kalon në ‘Fazën 4’ për shkak të rritjes së numrit të rasteve Covid-19 në zonën lokale”, shtoi ai.
Tani për tani thuhet se qasja në të dy qendrat do të kufizohet me një grup të minimizuar, grup ky i nevojshëm për t’i mbajtur të sigurta objektet e teknologjisë së lartë.
Bridenstine shtoi se do të ketë ndikime në misionet e NASA-s, për shkak të mbylljeve, përfshirë punën në anijen Orion, i dizajnuar për të dërguar austronautët amerikanë në Hënë në vitin 2024, mirëpo sipas tij shëndeti i personelit është përparësia kryesore. /Telegrafi/