Telegrafi

Investimet private shënojnë rritje në Shqipëri

Banka e Shqipërisë vlerëson se investimet private po vazhdojnë të rriten, të nxitura nga investimet e huaja direkte, nga përmirësimi i gjendjes financiare të bizneseve si pasojë e pagimit të detyrimeve të prapambetura, por edhe nga lehtësimi i kushteve të financimit në sektorin bankar.

Banka e Shqipërisë vlerëson se ambienti i jashtëm në tregjet ndërkombëtare, pritet të fuqizohet më tej në horizontin afatmesëm dhe të ofrojë një mbështetje gjithnjë e më të madhe për rritjen ekonomike në vend.

Sipas Bankës Qendrore, intensiteti i stimulit monetar nuk do të dobësohet përgjatë gjithë vitit 2016 dhe kushtet monetare do të mbeten stimuluese në të dyja vitet në vijim, duke nxitur rritjen e investimeve në vend.

Këtë fakt e konfirmon edhe raporti i publikuar se fundi nga Komisioni Evropian, ku thuhet se, një rritje afër 2,7% e ekonomisë shqiptare gjatë 2015, është falë kontributit të investimeve dhe eksporteve. Komisioni Evropian vë theksin se investimet madhore kanë qenë dhe do të jenë lokomotiva e rritjes së ekonomisë përgjatë këtij viti dhe atij të ardhshëm.

Gazsjellësi Trans-Adriatik vlerësohet si një prej këtyre projekteve madhore dhe gjithashtu dhe një tjetër projekt madhor për një hidrocentral. Ndër të tjera raporti nënvizon faktin se huadhënia e sektorit privat për qëllime biznesi do të rimëkëmbet lehtë përgjatë vitit aktual, si pasojë e kushteve lehtësuese dhe përmirësimit të legjislacionit, që ka për qëllim të luftojë problemin e huave jo-performuese.