Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në interpelancën e sotme të Kuvendit për kryeministrin Albin Kurti, ka paraqitur një rezolutë me katër pika për të zgjidhur situatën e krijuar në veri të vendit.
Teksa i ka kërkuar Kuvendit miratimin e kësaj rezolute, Haradinaj ka thënë se situata politike dhe e sigurisë në Kosovë është ndër më të rëndat në këto 22 vjet.
Katër pikat e rezolutës së propozuar nga i pari i AAK-së janë:
-Qeveria e Kosovës të marrë vendim menjëherë për shtyrje të vendimit për targat deri në marrëveshje finale,
-Institucionet e Kosovës të fillojnë dialogun intensiv për kthimin e serbëve në vendet e tyre të punës,
-Qeveria të nis me komunikim intensiv me faktorët relevantë në vend, duke përfshirë edhe opozitën, jo vetëm si reflektim i gjendjes së krijuar por edhe si nevojë për gjetjen e rrugëdaljes nga situata e krijuar,
-Të kërkohet një Samit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pra takim disaditor deri në përmbylljen e marrëveshjes finale për njohje reciproke me Serbinë. /Telegrafi/