Telegrafi

Interi i vë çmim Icardit?

Interi është i gatshëm ta shesë Mauro Icardin nëse ndonjë klub ofron 110 milionë euro – bën të ditur Corriere della Sera.

Nerazzurrët kanë dështuar të kualifikohen në Evropë këtë sezon, pasi u renditën në vend të shtatë në tabelë, ndërsa për sezonin e ardhshëm skuadrën do ta drejtojë ish-trajneri i Romës, Luciano Spalletti.

Kjo do të thotë se të gjithë lojtarët janë në treg, pos Roberto Gagliardinit që u transferua nga Atalanta në janar.

Sipas njoftimeve më të reja në mediat italiane, pronarët e klubit e kanë bërë të qartë se askush nuk është i paprekshëm, ndërsa e kanë vendosur edhe çmimin për shitjen e sulmuesit kryesor.

Në ditët e sotme, kjo shifër nuk është e madhe për një lojtar 24-vjeçar si Icardi, i cili ka shënuar 81 gola në 156 ndeshje në Serie A.

Për më shumë, ai ka dhuruar 27 asistime, nëntë prej të cilave këtë sezon dhe ka siguruar ftesë nga përfaqësuesja e Argjentinës.

Në kontratën aktuale të argjentinasit, e cila skadon në vitin 2021, nuk ka klauzolë, mirëpo Corriere della Sera raporton se Interi do ta shiste për 110 milionë euro. /Telegrafi/