Telegrafi

Interi vazhdon me fitore, mposht Lazion dhe rikthehet në krye

(Foto: Twitter/Inter)

Interi e ka kryer detyrën përballë Lazios (2-1) në Giuseppe Meazza për të rimarrë primatin në Serie A.

Ivan Perisic pati rastin e parë të mirë në ndeshje pas një harkimi nga Nicolo Barella, por goditja e tij me kokë shkoi mbi portë.

Në minutën e 17-të, Lautaro Martinez pranoi një top nga Alexis Sanchez dhe e futi në portë, mirëpo pas konsultimit të VAR-it, goli u anulua për pozitë jashtë loje.

Alessandro Bastoni shfrytëzoi një top të kthyer dhe goditi me të majtën nga jashtë zonës për ta zhbllokuar rezultatin (30’).

(Foto: Twitter/Inter)

Mirëpo, festa e Nerazzurrëve zgjati vetëm pesë minuta, pasi Ciro Immobile shfrytëzoi një harkim nga Danilo Cataldi dhe daljen e gabuar të Samir Handanovic për t’i barazuar shifrat (35’).

Skuadrat shkuan në pushim me rezultat të barabartë, ndërsa në fraksionin e dytë, zikaltrit vazhduan të rrezikojnë përmes Alexis e Perisic, derisa e rikthyen epërsinë.

Një harkim të mrekullueshëm nga Bastoni e priti në zonë Milan Skriniar, i cili realizoi me kokë në portën e Thomas Strakoshës (67’).

(Foto: Twitter/Inter)

Falë kësaj fitoreje, Interi e ka rimarrë kreun e Serie A me një pikë më shumë se Milani, por Nerazzurrët kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.

Lazio është në vend të tetë në renditje me 32 pikë, aq sa kanë edhe Roma dhe Fiorentina që ndodhen më lartë në tabelë. /Telegrafi/