Për herë të nëntë në histori të klubit, Interi e ka fituar trofeun e Kupës së Italisë duke e mposhtur Fiorentinan në finalen e zhvilluar në Stadio Olimpico të Romës.
Nerazzurrët fituan me përmbysje, duke qenë se ishte skuadra e Violas që realizoi e para. Nicolas Gonzalez pranoi një top nga Jonathan Ikone dhe shënoi nga afërsia (3’).
Shifrat u barazuan në minutën e 29-të kur Lautaro Martinez u tregua i saktë nga brenda zonës, pasi pranoi një asistim të mirë nga Marcelo Brozovic.
Zikaltrit e kthyen rezultatin në favor të tyre me golin e dytë personal të Lautaro Martinez. Argjentinasi shënoi gol të bukur pas asistimit nga Nicolo Barella (37’).
Rastet vazhduan edhe në fraksionin e dytë me Violan që krijoi disa mundësi në përpjekje për ta barazuar rezultatin, por pa sukses.
Ky është trofeu i parë i sezonin 2022/2023 për Interin që luan edhe në finale të Ligës së Kampionëve (më 10 qershor në Stamboll) kundër Manchester Cityt.
Mundësia për trofe nuk ka mbaruar pas për Fiorentinan, pasi më 7 qershor në Pragë zhvillon finalen e Ligës së Konferencës kundër West Ham Unitedit. /Telegrafi/