Me afrimin e afatit të janarit, klube të shumta nëpër Evropë janë vendosur të luftojnë për nënshkrimin e mesfushorit të Tottenham Hotspur Christian Eriksen, ndërsa së fundmi garës i janë bashkuar edhe Interi dhe Juventusi.
Sipas raporteve të shtypit britanik përmes Calciomercato.com, Interi dhe Juventusi janë klubet e fundit që janë përfshirë në garë për Eriksenin.
Këto raporte të mediave detajojnë se si dy klubet italiane janë të gatshme të luftojnë me Manchester Unitedin, Bayern Munichun dhe Real Madridin për nënshkrimin e mesfushorit danez 27-vjeçar.
Kontrata e lojtarit skadon me klubin londinez verën e ardhshme dhe për këtë arsye të gjitha këto klube po kërkojnë të nënshkruajnë falas me mesfushorin kreativ në verën e ardhshme.
Deri më tani këtë sezon, Eriksen ka shënuar dy gola dhe ka siguruar tre asistime në 20 paraqitje në të gjitha garat për Spurs, statistika zhgënjyese në krahasim me sezonin e kaluar, potencialisht për shkak të situatës së tij me rinovimin e kontratës.
Sezonin e kaluar, ylli danez shënoi dhjetë gola dhe siguroi 17 asistime në 51 paraqitje, duke qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm në skuadrën e Tottenhamit. /Telegrafi/