Telegrafi

Interi dhe Barca luajnë baras në Meazza

Philippe Coutinho dhe Sime Vrsaljko (Foto: Emilio Andreoli/Getty Images/Guliver)

Interi dhe Barcelona kanë barazuar (1-1) në ndeshjen e xhiros së katërt të fazës grupore të Ligës së Kampionëve që u zhvillua në Giuseppe Meazza në Milano.

Gjysma e parë nuk prodhoi gola, ndërsa Blaugranët bënë paraqitje më të mirë duke krijuar më shumë raste para portës kundërshtare.

Luis Suarez i pati shanset më të mira në këtë pjesëlojë, mirëpo nuk arriti që të shënonte për skuadrën mysafire.

Luis Suarez rrezikoi në disa raste (Foto: Emilio Andreoli/Getty Images/Guliver)

Edhe në gjysmën e dytë, katalunasit vazhduan të sulmonin, mirëpo Samir Handanovic nuk lejonte që të prekej porta e tij.

Mirëpo, vetëm dy minuta pasi hyri në lojë, Malcom e zhbllokoi rezultatin duke shënuar për epërsinë e mysafirëve.

Epërsia e katalunasve nuk zgjati shumë, pasi Mauro Icardi u gjend më së miri në zonë për ta barazuar rezultatin (87′).

Radja Nainggolan në mes të dy lojtarëve të Barcës (Photo by Emilio Andreoli/Getty Images)

Pas katër xhirove në Grupin B, Barcelona ka arritur tri fitore dhe një barazim dhe është në krye të grupit me dhjetë pikë dhe tashmë e ka siguruar pjesëmarrjen në fazën e eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve.

Interi është në vend të dytë në grup me shtatë pikë, nga dy fitore, një barazim dhe një humbje.

Në xhiron e ardhshme, Barca udhëton te PSV Eindhoveni, kurse Interi është mysafir i Tottenham Hotspurit. /Telegrafi/