Momenti i shumëpritur po vjen. Java e 4-t e Serisë A sjell në skenë një nga sfidat më të mëdha të futbollit italian.
Në San Siro në orën 18:00 të kësaj të diele, do të luhet Inter-Juventus një përballje gjigantësh mes dy skuadrave që kanë shkruar historinë e futbollit italian gjatë këtyre dy shekujve.
Quhet ‘Derbi i Italisë’ pasi kjo është një nga ndeshjet që është luajtur më shumë në Serinë A.
Rivaliteti mes dy skuadrave duke filluar që nga tifozeritë është ashpërsuar akoma edhe më shumë pas skandalit Calcopolli, në të cilin u përfshi Juventusi dhe këto janë detaje që e bëjnë akoma edhe më të bukur këtë sfidë.
Deri tani Interi dhe Juventusi janë përballur në 193 raste në Serinë A. Bardhezinjtë kryesojnë me 87 fitore kundrejt 57 të zikaltërve, ndërkohë që 49 ndeshje kanë përfunduar në barazim, shkruan Superspot.
Në Kupën e Italisë këto dy klube janë përplasur 31 herë mes tyre, edhe këtu Juventusi është përpara përsa i përket fitoreve pasi ka triumfuar në 14 ndeshje, 10 janë fituar nga Interi ndërsa 7 kanë përfunduar në barazim.
Mund të ngjasojë me diçka të pabesueshme, por si për ironi të fatit, Juventusi dhe Interi nuk janë përballuar asnjëherë në një garë evropiane.
Golashënuesit më të mirë të kësaj sfide janë tre futbollistë me nga 12 finalizime secili, dy juventinët Sivori dhe Boninsegna dhe interisti Giuseppe Meazza.
Alessandro Del Piero vjen pas tyre me 10 gola.
Fitoren më të thellë ndaj Interit bardhezinjtë e kanë regjistruar në vitin 1961 me shifrat 9-1. Interi fitoren më të thellë ndërkohë e ka arritur në 1954 me rezultatin 6-0.
Pavarësisht momentit që po kalojnë të dyja skuadrat spektakli nuk pritet të mungojë as këtë herë në Inter-Juventus.