Njësia e Task-Forcës Lindje, e përbërë nga Policia dhe Dogana e Kosovës, në zbatim të masave për parandalim dhe luftimin e kontrabandës, kanë intensifikuar kontrollet taktike dhe operacioneve në zonën kufitare në mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Në njoftim bëhet e ditur se më 20.03.2024, në rrugën Preshevë-Gjilan, njësitet e Task-Forcës kanë tentuar ta ndalojnë veturën me targa të Serbisë.
“Drejtuesi i automjetit nuk ka zbatuar urdhrat për ndalje dhe ka tentuar të kthehet në drejtim të Serbisë. Në dalje të fshatit Pasjan, kanë arrit të ndalojnë automjetin e dyshuar me drejtues Q.H., dhe pasagjer Y.Sh., që të dy nga Presheva”, thuhet në njoftim.
Gjatë kontrollit të automjetit është vërejtur se në veturë kishte të ngarkuara disa thasë me nxehëse të ndryshme për bojlerë dhe shporet elektrik (934 copë, mall me origjinë nga Serbia, vlera e tregut është mbi 10 mijë euro).
Lidhur me rastin, të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ku me urdhër të prokurorit drejtuesi i automjetit ndalohet për 48 orë, malli i kontrabanduar dhe automjeti sekuestrohet dhe dërgohen në terminalin doganor-Dheu i Bardhë. /Telegrafi/