Kundërzbulimi i ushtrisë ukrainase ka arritur të sigurojë 100 gigabajt të dhëna për prodhuesit rusë të dronëve dhe pajisjeve tjera luftarake, shkruan Ukrainska Pravda.
Shërbimi Informativ i Mbrojtjes i Ukrainës (DIU) mori 100 gigabajt të dhëna të klasifikuara nga një prej kompanive kritike të kompleksit ushtarak-industrial rus, Qendra Teknologjike Speciale (Special Technological Center) LLC, transmeton Telegrafi.
Sipas të dhënave të inteligjencës, kjo kompani ruse, e cila është nën sanksione që nga viti 2016, në objektet e saj, ndër të tjera prodhon dronët Orlan, një sërë pajisjesh për luftë elektronike dhe zbulim dhe produkte të tjera ushtarake.
“Materiali informativ i transferuar në DIU përmban dokumentacion për 194 artikuj nomenklaturë: projekte, specifikime, patenta, softuer, si për zhvillimet ushtarake ekzistuese ashtu edhe për ato të ardhshme”, thuhet në deklaratë.
Sipas vlerësimeve paraprake të Inteligjencës së ministrisë së Mbrojtjes, vlera e të dhënave të marra mund të jetë 1.5 miliardë dollarë amerikanë.
“Kjo është një goditje e rëndësishme për Moskën terroriste: arkivi tashmë po përdoret për të forcuar aftësitë mbrojtëse të Ukrainës dhe për të dobësuar shtetin agresor”, thuhet në deklaratë.
Inteligjenca ukrainase raportoi se informacioni i klasifikuar është marrë përmes bashkëpunimit efektiv me përfaqësuesit patriotë të shoqërisë civile dhe komunitetit të medias. /Telegrafi/