Site icon Telegrafi

Inteligjenca ukrainase arreston agjentët rusë, planifikonin të kryenin sulme terroriste në Kiev – kishin për mision vendosjen e bombave

Agjentët rusë kishin tentuar të orkestrojnë një sërë sulmesh terroriste në Kiev, një ditë para se të shënohej Dita e Fitores.

Në planin e tyre përfshihej vendosja e mjeteve shpërthyese në markete, që u përkasin zinxhirëve të njohur të dyqaneve si dhe në afërsi të kafiterive.

Këto informacione i zbuluan Shërbimi Sekret ukrainas (SSU) në bashkëpunim me zyrën e kryeprokurorit ukrainas, transmeton Telegrafi.

Gjatë hetimeve është zbuluar se të dyshuarit kanë vepruar me direktivat e forcave ruse, që kishin për detyrë të vendosnin mjete shpërthyese në tri qendra tregtare dhe në veturat e parkuara në afërsi  të kafiterive të njohura.

Lexo po ashtu Forcat ukrainase godasin depot e municionit të ushtrisë së Putinit në rajonin e Luhanskut – në afërsi të kufirit me Rusinë

Operacioni special për kapjen e tyre është kryer në një parking veturash, pranë një qendre tregtare ku planifikonin të vendosnin mjete shpërthyese.

E nga kundërzbulimi ukrainas është bërë e ditur, se “truri” i sulmeve terroriste ruse është Yuri Syzov nga inteligjenca ushtarake ruse që shërben në njësinë me numër 92154.

Syzov personalisht kishte rekrutuar agjentët e arrestuar rusë, dhe u kishte dorëzuar video të ndryshme me instruksione për vendosjen e mjeteve shpërthyese.

Ai gjithashtu konsiderohet përgjegjës për një operacion sabotimi në Ukrainë, që ishte planifikuar të ndodhë në rajonin e Lvivit gjatë shkurtit të këtij viti. Por ishte inteligjenca ukrainase që ishte aktivizuar me kohë dhe kishte parandaluar shpërthimet. /Telegrafi/

 

Exit mobile version