Telegrafi

Inteligjenca ukrainase: Armët e destinuara për ne, rusët i kapën dhe ia dërguan Hamasit – qëllimi i tyre është diskreditimi i Ukrainës

Kundërzbulimi i ushtrisë ukrainase ka bërë të ditur se pushtuesit rusë kanë furnizuar militantët e Hamaasit me armë të prodhuara nga SHBA-ja dhe BE-ja, që i kapën gjatë luftës në Ukrainë.

Ata shtuan se Rusia me këtë dëshironte të diskreditonte Ukrainën, për të ndikuar në qëndrimin e aleatëve dhe furnizimin me armë, transmeton Telegrafi.

“Shteti agresor, Rusia, po përdorë sulmet e terroristëve të Hamasit në shtetin e Izraelit për provokime të përmasave të mëdha kundër Ukrainës. Inteligjenca e ministrisë së Mbrojtjes e Ukrainës e di që shërbimi sekret rus tashmë i ka dërguar militantëve të Hamasit armë të prodhuara në SHBA dhe BE të kapura nga forcat armike në Ukrainë”, u tha ndër tjera.

Lexo po ashtu Tankun rus e hedhin në erë ukrainasit, e godasin me predhë antitank – goditja ishte tejet e fuqishme dhe direkte

“Hapi i ardhshëm në planin e Rusisë do të duhej të ishin akuzat e rreme kundër ushtrisë ukrainase, se kinse po i shet armët perëndimore terroristëve. Inteligjenca ukrainase beson se pushtuesit rusë kanë përdorur lajmet e rreme si bazë për një sërë hetimesh”, shkruan Ukrainska Pravda.

Ata vënë në dukje se shërbimet sekrete ruse synojnë të përdorin komentet e togerit të lartë Ruslan Sirovji, “një tradhtar nga shërbimi kufitar ukrainas i cili kohët e fundit iku në Moskë”, për t’i dhënë besueshmëri akuzave.

Ata theksojnë se qëllimi i provokimit rus është diskreditimi i Forcave të Armatosura të Ukrainës, dhe ndalimi i plotë i fluksit të ndihmës ushtarake për Ukrainën nga partnerët perëndimorë. /Telegrafi/