Telegrafi

Instituti për Studimin e Luftës: Putin nuk mori atë që deshi nga Xi Jinping

Presidenti rus Vladimir Putin dhe ai kinez Xi Jinping nënshkruan dje një deklaratë të përbashkët për thellimin e partneritetit dhe bashkëpunimit strategjik, në të cilën theksohej se marrëdhëniet ruso-kineze janë gjithëpërfshirëse, strategjike dhe “në nivelin më të lartë në histori”.

Instituti për Studimin e Luftës njoftoi në raportin e fundit se angazhimet e marra nga Xi dhe Putin ishin “dukshëm të njëanshme”, transmeton Telegrafi.

Xi vlerësoi Putinin dhe përforcoi pozicionin e Kinës për një zgjidhje politike të luftës në Ukrainë, por nuk shkoi shumë më tej sesa deklaratat e bëra.

Lexo po ashtu Shpërthime të fuqishme në Sevastopol të Krimesë

“Putini, në të kundërt, ka njoftuar një sërë masash që sinjalizojnë orientimin dhe varësinë e vazhdueshme të Rusisë nga Kina në sektorët e energjisë dhe ekonomisë, të cilat duken shumë të njëanshme në krahasim me angazhimet relativisht të moderuara të Xi”, u tha nga ISW.

“Xi nuk ka sinjalizuar asnjë synim për të mbështetur luftën e Rusisë në Ukrainë përtej garancive të paqarta diplomatike, të cilat ka të ngjarë të jenë më pak se sa shpresonte Putini të siguronte në negociata. Putini ka të ngjarë të dështojë të sigurojë saktësisht llojin e partneritetit që ai ka nevojë dhe dëshiron, dhe Xi ka të ngjarë të largohet nga Moska pasi të ketë siguruar garanci që janë më të njëanshme sesa synonte Putini”, argumentoi ISW. /Telegrafi/