Një informator i Byrosë Federale amerikane të Hetimit (FBI) është akuzuar për fabrikimin e një skeme ryshfeti shumëmilionëshe që përfshin presidentin Joe Biden, djalin e tij Hunter dhe një kompani energjetike ukrainase. Kjo çështje është në qendër të përpjekjeve të republikanëve për hetim ndaj Bidenit në Kongresin amerikan.
Alexander Smirnov në mënyrë të rreme ka raportuar te FBI-ja në qershor të vitit 2020 se drejtuesit e lidhur me kompaninë energjetike ukrainase, Burisma, kanë paguar Hunter dhe Joe Biden 5 milionë dollarë për secilin në vitin 2015 ose 2016, thanë prokurorët në aktakuzën e ngritur. Smirnov i tha FBI-së se një drejtues i kishte pretenduar se kishte punësuar Hunter Bidenin për të “na mbrojtur, përmes babait të tij, nga të gjitha problemet”, u tha në dokumentet e gjykatës.
Prokurorët thanë se në fakt Smirnov kishte raporte rutinore biznesore me kompaninë në vitin 2017 dhe ai i bëri këto akuza për ryshfet pasi “shprehu paragjykime” kundër Joe Bidenit kur ai ishte kandidat për president.
Smirnov, 43 vjeç, doli para gjykatës në Las Vegas të enjten, pasi ndaj tij u ngrit akuzë për deklarim të rremë. Ai nuk u deklarua rreth akuzës ndaj tij. Gjykatësi urdhëroi që të gjithë të largoheshin nga salla e gjyqit, pasi mbrojtësja publike federale, Margaret Wightman Lambrose, kërkoi që seanca të ishte e mbyllur në kohën kur do të jepeshin argumentet lidhur me dokumentet konfidenciale të gjykatës. Ajo nuk pranoi të komentonte për rastin.
Pretendimet e informatorit kanë qenë në qendër të përpjekjeve të republikanëve në Kongres për të hetuar presidentin Biden dhe familjen e tij, dhe deklarimet e tij kanë ndihmuar që të niste procedura për hetimin ndaj Bidenit në Dhomën e Përfaqësuesve. Një avokat i Hunter Biden, tha se aktakuza tregon se hetimi “është bazuar në pretendime të pandershme, të pabesueshme dhe në dëshmitarë”.
Pas njoftimit të gjyqësorit, ligjvënësi kryesor demokrat në Komitetin Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve, Jamie Raskin, kërkoi që të përfundonte hetimi ndaj Bidenit, raporton rel.
Raskin tha se pretendimet e republikanëve ndaj Bidenit “gjithmonë kanë qenë gënjeshtra të ndërtuara mbi teori konspirative”.
Por, udhëheqësi republikan i këtij komiteti, James Comer, e minimizoi rëndësinë e informatorit, i cili ishte figurë kyçe për nisjen e hetimit të republikanëve ndaj Bidenit.
Në aktakuzë, prokurorët thanë se Smirnov kishte pasur kontakt me drejtuesit e Burismas, por ishin kontakte rutinore dhe puna e vërtetë e tij me këtë kompani nisi më 2017, pasi presidenti Barack Obama dhe Biden, nënpresidenti i tij, përfunduan mandatin dhe Biden nuk kishte aftësi që të ndikonte në politikën e SHBA-së.
Smirnov kaloi nga “kontaktet rutinë në kontakte të jashtëzakonshme biznesore me Burisman më 2017 dhe më pas bëri pretendimet për ryshfet ndaj të nominuarit për president”, u tha në aktakuzë.
Ai kishte përsëritur disa prej pretendimeve të rreme kur ishte intervistuar nga agjentët e FBI-së në shtatorin e vitit 2023 dhe ndryshoi rrëfimin e tij “dhe shpiku narrativë të rinj pasi ai tha se u takua me zyrtarët rusë”, thanë prokurorët.
Nëse gjendet fajtor, Smirnov mund të dënohet deri me 25 vjet burgim.