Site icon Telegrafi

Infektologu Vishaj: Kosova shpejt mund të përballet me valë të re infektimesh me COVID-19

Vendet fqinje të Kosovës janë duke u përballur me rritje të rasteve me COVID-19. Me valë të re infektimesh janë përfshirë edhe shtetet e Evropës Perëndimore, kurse gjendja më alarmante paraqitet në Gjermani dhe Austri. Drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Arben Vishaj, thotë se një valë të re të infektimeve mund të ketë edhe në Kosovë gjatë ditëve në vazhdim.

Vishaj tha për Telegrafin se aktualisht situata në Klinikën Infektive është stabile dhe janë u trajtuar vetëm tre pacientë.

“Gjendja është stabile në Klinikën Infektive, janë tre pacientë duke u trajtuar”, tha ai.

Vishaj gjatë intervistës bëri të ditur se deri tani nuk kanë pasur ndonjë pacientë të konfirmuar me variantin Delta plus të COVID-19, që është trajtuar në Infektiv.

“Nga mostrat e dërguara në qendrën në Gjermani nga IKSHPK kemi raporte që kemi pasur edhe një numër të pacientëve me formën Delta plus, ne nuk kemi pasur të hospitalizuar pacientë të tillë, dhe rrjedhimisht nuk kemi trajtuar ende pacientë zyrtarisht me formën Delta plus. Por, në bazë të literaturës dhe të dhënave që na vijnë çdo ditë, thuhet se manifestimi klinik është sikur virusi delta, por karakteristikë e këtij virusi është që ka aftësi të përhapet ndoshta 10 përqind më shpejtë se format tjera”, tha mes tjerash Vishaj, për Telegrafin.

Duke folur për situatën epidemiologjike, drejtori i Klinikës Infektive nuk e përjashtoi mundësinë që edhe Kosova të përballet me valë të re infektimesh.

“Ne jemi pjesë e rajonit dhe Evropës, dhe rrjedhimisht nuk jemi imun ndaj ndodhive epidemiologjike që ndodhin qoftë në vendet përreth, qoftë në Evropë. Pa dyshim se një gjë e tillë është e mundur, dhe frika jonë është se në faza tjera kur moti bëhet më i ftoftë dhe njerëzit grumbullohen më shumë dhe kur vjen një numër i madh i mërgatës, mundësia e përhapjes së një vale të re është më e madhe, nga se nga vendet nga vijnë ata tashmë kemi shpërthime epidemiologjike shumë të mëdha”, pohoi Vishaj.

Mes tjerash, Vishaj bëri thirrje që qytetarët të vaksinohen kundër COVID-19.

“Shoqëria jonë nuk guxon të ndahet në grupin e atyre që nuk janë të vaksinuar, sepse ata që janë të vaksinuar në një farë mënyrë janë të siguruar nga manifestimi i formave të rënda klinike, dhe në grupin e atyre që janë të pa vaksinuar, të cilët janë të rrezikuar nga manifestimet e formës shumë të rënda klinike të coronavirusit. Ne i lusim qytetarët që të vaksinohen dhe të mos hyjnë në grupin e qytetarëve që jetën e tyre e kanë në rrezik”, ka theksuar ai.

Vishaj po ashtu tha se për gjatë kësaj kohe qytetarët mund të preken edhe nga gripet sezonale.

“Është në natyrën e kësaj kohe që viruset të jenë prezent në popullatë, përpos COVID-19 ka mundësi edhe forma tjera virale të jenë manifeste, por rekomandimi është të mbahet distancë, të mbajnë higjienën, gjithsesi nëse fillojnë manifestime klinike të drejtohen të mjeku, dhe të marrin konsultën e duhur mjekësore”, potencoi ai.

Ndryshe, në 24 orët e fundit në Kosovë janë konfirmuar gjashtë raste të reja me coronavirus, kurse është shënuar një rast i vdekjes.

Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.609.325 doza të vaksinës. Deri më sot 758.250 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.

Ministria e Shëndetësisë, në vazhdimësi është duke u bërë thirrje qytetarëve të vaksinohen kundër COVID-19, ku së fundmi qytetarët nuk kanë nevojë as të caktojnë termin për të marrë vaksinën. /Telegrafi/

Exit mobile version