Një tjetër sulm ka ndodhur të dielën ndaj trenit që po lëvizte nga Prishtina në Pejë.
Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh ka bërë të ditur se persona të panjohur e kanë gjuajtur me gurë trenin, ku i është thyer një xham.
Rasti ka ndodhur rreth orës 16:45.
“Është raportuar se nga disa persona të dyshuar të panjohur është gjuajtur me gurë trenin që lëvizte nga Prishtina në Pejë dhe si pasojë është thyer një xham. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori”, thuhet në raportin e policisë.
Kujtojmë se ky është incidenti i tretë që ka ndodhur brenda një muaji.
Para një jave një rast i ngjashëm kishte ndodhur pikërisht në segmentin hekurudhor Prishtinë-Pejë, ku një grup të rinjsh gjuajtën me gurë trenin 761.
Një tjetër rast ishte raportuar më 15 tetor, ku ishin hedhur gurë mbi trasenë hekurudhore në dalje të stacionit Cerrovikë, respektivisht në kilometrin 37+500 e që ka rrezikuar jetën e shumë qytetarëve të pranishëm në trenin e linjës.
Ndërmarrja publike “Trainkos” kishte deklaruar se po ballafaqohen vazhdimisht me aktivitete të rrezikshme.
“Ky akt i dhunshëm është një dëshmi e qartë se ne, si ndërmarrje dhe si qytetarë që përdorim këtë transport, jemi në rrezik”, thuhej në reagimin e kësaj ndërmarrje. /Telegrafi/