Në orët e para të mëngjesit të sotëm është raportuar se është bombarduar qyteti, dhe zona përreth centralit bërthamor Zaporizhzhia në Ukrainë.
Pala ukrainase dhe ajo ruse vazhdimisht akuzojnë njëra-tjetrën për këto sulme, ndërsa imazhet satelitore të Maxar Technologies e dëshmojnë se raketat kishin goditur objektin e centralit më të madh bërthamor në Evropë, transmeton Telegrafi.
Rusët pretendojnë se ukrainasit e goditën me raketa amerikane M777 të artilerisë howitzer, kurse ukrainasit pretendojnë se aeroplanët rusë vazhdimisht hedhin bomba përreth duke shantazhuar kështu Evropën.
Por imazhet satelitore të kompanisë amerikane tregojnë detaje të këtij centrali, ku shihet se kulmi i njëri prej reaktorëve bërthamor është goditur.
Madje vërehen qartë vrimat e krijuara si pasojë e bombave që kanë rënë mbi të.
E këto sulme po ndodhin në kohën kur ekipi ndërkombëtarë nga Agjencia për Energji Bërthamore IAEA, janë nisur drejt këtij centrali për inspektim. /Telegrafi/