Ditët e mbrojtësit të Llapit, Ilir Krasniqi, në Superligën e Kosovës tashmë janë të numëruara, pasi reprezentuesi kosovar pritet që së shpejti të transferohet në Evropë.
Këtë e ka konfirmuar drejtori sportiv i Llapit, Mentor Zhdrella, i cili në një prononcim të shkurtër për Telegrafin ka thënë se sipas të gjitha gjasave Krasniqi do të largohet nga klubi pasi ata kanë marrë tre oferta.
“Me shumë gjasa Ilir Krasniqi do të largohet nga Llapi. Kemi tre oferta, përveç asaj Kolos që është përmendur në Ukrainë janë edhe dy klube të tjera”.
“Një ofertë është nga Rumania dhe një tjetër nga Danimarka. Sonte eventualisht nesër mund të zyrtarizohet gjithçka për të ardhmen e Ilir Krasniqit”.
“Janë oferta të përafërta, por do të vendosim së bashku me lojtarin se ku do ta vazhdojë ai karrierën”, ka thënë Mentor Zhdrella për Telegrafin.
Krasniqi është njëri ndër futbollistët më të shquar në elitën e futbollit kosovar në pozicionin e tij, ndërsa kujtojmë se paraqitjet e tij fantastike kishin bërë që ai të merrte ftesën nga përfaqësuesja e Kosovës.
24-vjeçari debutimin me ‘Dardanët’ e kishte bërë në shtator të vitit 2022, ndërsa vlera e tij aktuale në treg sipas Transfermarkt kap vlerën e 650 mijë eurove
Megjithatë Telegrafi mëson se në përparësi për t’i siguruar shërbimet e tij është skuadra ukrainase Kolos Kovalivka që tanimë ka marrëveshje me lojtarin./Telegrafi/