Site icon Telegrafi

IKD dhe RrGGK: Prokuroria dhe Policia neglizhuan rastin e Sebahate Sopit

Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës kanë reaguar ndaj neglizhencës që sipas tyre ka treguar Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës në rastin e Sebahate Sopit.

Sipas tyre, këto të fundit nuk kanë përmbushur obligimet ligjore në rastet ku cenohet integriteti i grave.

Sebahate Sopi dyshohet se më 14 mars vra nga bashkëshorti i saj. L.S dyshohet po ashtu se në lagjen Emshir në Prishtinë me armë zjarri ka vrarë fillimisht bashkëshorten e tij, e më pas e ka vrarë edhe vetën.

Në një konferencë për media, IKD dhe (RrKK), kanë publikuar gjetjet preliminare të hulumtimit të rastit të vrasjes së Sebahate Sopit: “Shteti me mos veprim, privon nga jeta Sebahate Sopin”.

Ehat Miftaraj nga IKD tha se me Kushtetutë e drejta për jetë është elementare dhe duhet të garantohet nga shteti.

Lexo po ashtu Detaje rreth vrasjes në Emshir: Burri dyshohet se fillimisht vrau ish-gruan, pastaj veten

Sipas tij, Kosova gatë vitit të kaluar kishte inkorporuar edhe Konventën e Stambollit.

“Në rastin konkret, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dështuar të ushtrojë kompetencat e saj për t’iu ofruar mbrojtje Sebahate Sopit. Prokuroria Themelore në Prishtine dje në mënyrë amatoreske u mundua t’i ikë përgjegjësisë dhe të gënjejë publikisht që ka marrë të gjitha hapat për mbrojtje”, tha Miftaraj.

Më tej, Miftaraj tha se përveç se Sopi ishte viktimë e burrit, e njëjta ishte viktimë edhe e shtetit.

E, Adelinë Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës theksoi se gratë për vjet me radhë po e raportojnë dhunën, por që institucionet gjegjëse po refuzojnë të ofrojnë mbështetje, çka po rezulton me përfundim të jetës me fatalitet.

“Prokuroria të bëhet më serioze në zbatimin e punës së tyre. Do të kërkojmë shkarkimin e prokurorëve që po dështojnë në zbatimin e punës së tyre”, ka shtuar ajo.

Hulumtuesi Shala nga IKD shtoi se prokurori i shtetit në komunikatën e djeshme duke u munduar ta mbulojë fajin e vet ka dëshmuar neglizhencën e treguar.

“Bazuar në kodin penal dhuna në familje përcaktohen si vepër penale. Dhe nuk është relevante nëse e ndjera ka shprehur gatishmëri për të vazhduar tutje rastin. Konventa e Stambollit tani më është e zbatueshme në Kosovë. Përkundër rastit që ky rast ishte raportuar më 3 mars në Prishtinë, kanë qenë të gjitha predispozitat për një rrezikshmëri të jetës së Sopit”, theksoi ai.

Tutje ai ka shtuar se institucionet gjegjëse ia kanë shkelur të drejtën për jetë Sebahate Sopit. Për këtë ai theksoi se kërkojnë nga sistemi prokurorial që urgjentisht të trajtohet aspekti i llogaridhënies dhe të shkarkohet kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe prokurori i rastit. /KP/

Exit mobile version