Çfarë ndodh me statujën pas Çmimeve të Akademisë? Telegrafi sjell shkrimin e Christian Blauveltit, për fatin e çuditshëm të statujave më të vlefshme në botën e kinematografisë – Oscar.
“Dhe Oskari shkon te…”! E dimë se çfarë ndodh më pas. Atë sekondë apo një tjetër, teksa prezantuesi hap zarfin para se të shpall fituesin me fat, ndodhë një si pritje pa frymë. E dimë se çfarë ndodh pas kësaj. Të nominuarit e tjerë për Oscar – mos të themi “humbësit” – shtiren të lumtur teksa fituesi puth pjesën tjetër të rëndësishme, teksa gjarpëron drejtë skenës, mban një fjalim – pothuajse gjithmonë të pavënë re – teston muskujt për të treguar se sa e rëndë është statuja e Oscarit dhe del nga skena. Por, çfarë ndodh pas kësaj?
Çfarë ‘jete’ kanë statujat e Oscarit me fituesit e tyre pas ndarjes së çmimeve të Akademisë? Epo, disa janë zhdukur ose janë vjedhur. Statuja e aktores më të mirë, Frances McDormand, për filmin “Three Billboards Outside Ebbing, Missouri”, u vodh shpejtë në natën e “Oscars 2018”. Rreth 15 mbeten të pagjetura deri këtë ditë. Të tjerat kanë qenë fokus i betejave ligjore dhe mosmarrëveshjeve të shitjes. Megjithatë, shumica dërrmuese prej 3,048 statujave të dhëna nga viti 1929 e deri më 2017, kanë pasur një ekzistencë të përkryer post-ceremoniale.
Dilema për shumicën e fituesve është: për ta shfaqur ose jo? Figura 34.3 centimetra duket e përshtatshme për ta vënë mbi oxhak. Dhe, pikërisht aty, aktorët Joanne Woodward, Anthony Quinn dhe Donna Reed e vendosën Oscarin e tyre – mes shumë të tjerëve – ndoshta pse prarimi kap dritën e zjarrit dhe shkëlqen si një relike e shenjtë.
Disa aktorë preferojnë që pozita e statujës së tyre të Oscarit të jetë një akt simbolik i vetëpërmbajtjes: do të thotë, e vendosin në banjë. Kate Winslet tha për GMTV se Oscarin për aktoren më të mirë për filmin “The Reader” e vuri në banjë, që mysafirët e saj “mund ta mbajnë pak dhe ta kthejnë ku ishte… Në fakt, të gjithë dëshirojnë ta prekin atë, të gjithë dëshirojnë ta mbajnë dhe thonë, ‘Oh, sa e rëndë është?’ Kështu që kuptova se nëse e vendos atje, atëherë e shmang atë pyetjen, ‘Ku është Oscari yt?’” Sipas ditores Guardian, Emma Thompson, Lionel Richie, Sean Connery, Susan Sarandon dhe Jodie Foster e mbajnë atë pranë banjës, ndërsa Foster shton: “Duken mirë prubinetat”.
Vetëm një aktor e shiti çmimin e Akademisë: Harold Russell, ushtari që humbi të dy duart në Luftën e Dytë Botërore, e që u angazhua nga William Wyler të luajë në filmin më të mirë të vitit 1946, “The Best Years of Our Lives”. Russell nuk kishte përvojë aktrimi, që do të thoshte se më vonë u shfaq në pak filma, pavarësisht se fitoi çmimin për aktorin më të mirë në rolin dytësor, tok me statujën e dytë – një çmim nderi për “ngritjen e shpresës dhe guximit te veteranët tjerë.” Në fund të viteve 1980, ai shiti një nga Oscarët e tij, mesa duket për të paguar faturat mjekësore të gruas. Në fakt, doli që e kishte shitur për të shkuar në pushime me gruan.
Russell ishte në gjendje të shiste Oscarin e tij, sepse iu dha para vitit 1950 – pas të cilit Akademia ua vuri kusht fituesve të nënshkruajnë se nuk mund të shesin statujat e tyre të Oscarit, pos tek Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit, me çmimin prej një dollari.
Kjo është arsyeja se pse vetëm Oscarët që datojnë para vitit 1950 dalin në ankand. Beatrice Welles, vajza e Orson Wellesit, e shiti Oscarin e babait të saj për skenarin më të mirë për filmin “Citizen Kane”, në vlerën prej 861,542 dollarëve. Oscari që iu dha bashkautorit të Wellesit në këtë film, Herman Mankiewicz, po ashtu përfundoi i shitur. Nipi i tij, Ben Mankiewicz, thotë për BBC Culture se babai i tij Frank e mbajti në një kasafortë, sepse ishte i shtrenjtë për ta siguruar. “Pastaj, kur një i afërm kishte nevojë për para, e shiti atë në ankand dhe ia dha 20 për qind”, thotë ai. “Babai im nuk ishte sentimental për gjërat. Aspak, e për këtë e kam admiruar. Por, mendoj se është penduar që e ka shitur. E di këtë. Por, ai donte të ndihmonte dikë.”
Një fitues i çmimit të Akademisë për filmin “Gone With the Wind”, e shiti statujën për shkak se nuk kishte paguar qiranë e magazinës ku e mbante këtë shpërblim: përgjegjësi artistik, Lyle Wheeler, kuptoi se pesë Oscarët e tij – për dizajnin e produksionit të filmave “Gone With the Wind”, “Anna and the King of Siam”, “The Robe”, “The King and I” dhe The Diary of Anne Frank – mund të shiten nga një palë e tretë, nëpërmjet një shtegu të Akademisë, si pagesë për një borxh. Wheeler arriti të kthejë Oscarin, gjatë jetës së tij, kur blerësi i statujës për filmin “The Diary of Anne Frank” ia ktheu si dhuratë.
Pagesa më e madhe për një statujë ishte 1.54 milionë dollarë, të cilat i ka paguar Michael Jackson – të filmit më të mirë për “Gone With the Wind”. E mbajti për vete. Por, Steven Spielberg kishte motive altruiste kur dha pothuajse 1.5 milionë dollarë për të blerë Oscarin e aktorit Clark Gable për filmin “It Happened One Night” dhe dy statujat për aktoren më të mirë që fitoi Bette Davis në vitet 1930. Ato ai ia dhuroi Akademisë.
Një numër i Oscarëve janë zhdukur. Oscari i aktores më të mirë Vivien Leigh, për “A Streetcar Named Desire”, u vodh kur hajnat u futën në shtëpinë e saj në vitet 1950. Oscari i aktores më të mirë në rol dytësor për filmin “Moonstruck”, Olympia Dukakis, u vodh nga një hajn në shtëpinë e saj, i cili tentoi t’ia shiste mu asaj. Në vend të kësaj, Dukakis ia pagoi Akademisë 78 dollarë për një zëvendësim.
Fituesja e parë afrikano-amerikane për rol dytësor te “Gone With The Wind”, Hattie McDaniel, nuk ka marrë statujë po një pllakë (siç ka ndodhë deri më 1943). Ajo u vodh fund të viteve ’60 apo në fillim të viteve ’70. Oscari i fituar nga Franc Capra për filmin “Prelude to War”, humbi nga një qendër e Ushtrisë amerikane.
Marlon Brando shkroi në autobiografinë e tij se nuk e kishte idenë se ku shkuan Oscarët e tij për filmat “On The Waterfront” dhe “The Godfather”. Madje, Hollywood Reporter raporton se edhe Oscari që ka blerë Jackson, nuk dihet se ku është.
Disa Oscarë të vjedhur janë gjetur. Në vitet 1970, një mashtrues në Universitetin ku ka studiuar Bing Crosby, e vodhi statujën e këtij aktori për rolin më të mirë te “Going My Way”, e aty la figurën e Micky Mouset. Një javë më vonë, zyrtarët e Universitetit e gjetën statujën në kishëzën e kolegjit.
Whoopi Goldberg dërgoi për pastrim Oscarin për aktoren më të mirë në rol dytësor, për filmin “Ghost” (prarimi nxihet me kohën), e ai u gjet më vonë pas një koshi plehrash te Aeroporti i Los Anxhelosit.
Oscari i aktores fëmijë, Margaret O’Brien, i fituar për filmin “Meet Me in St Louis”, u vodh nga pastruesja e shtëpisë në vitet 1950. Dy burra e blen atë në një pazar, 40 vjet më vonë, dhe ia kthyen asaj. Oscari i mjeshtrit të fotografisë, Karl Freund – për filmin “The Good Earth” – është vjedhur nga shtëpia e vajzës së tij më 1975 dhe u rikthye pas një reklamë për shitje në Los Angeles Times në vitin 1990. Oscari i Aaron Rochinit për tonin më të mirë për “The Deer Hunter”, përfundoi në eBay më 2001, shumë kohë pasi dikush e kishte vjedhur.
Historia më interesante e një Oscari të vjedhur është demaskuar kohët e fundit. Olivia Rutigliano, që njeh historinë e vjedhjes së Oscarëve, tha për Forbes në vitin 2016 se është gënjeshtër historia e hajnit misterioz që doli në skenë në ceremoninë e Akademisë së vitit 1938, për të pranuar pllakën për rolin më të mirë dytësor në emër të Alice Bradyt për filmin “In Old Chicago”, meqë ajo ishte e sëmurë. Nuk kishte asnjë ‘njeri misterioz’ i cili vodhi çmimin: ishte regjisori i filmit Henry King, i cili ia dorëzoi çmimin Bradyt një ditë pas ceremonisë. Pra, ky Oscar nuk ka humbur.
Pra, mund të ketë edhe legjenda tjera të rreme për Oscarë të vjedhur. Kjo veç tregon se çfarë fuqie ka çmimi i Akademisë. Statuja, imazhi abstrakt i një burri androgjen – duke mbajtur shpatën e kryqëzatave – shikon të kaluarën dhe të ardhmen; dizajni që pasqyron robotin nga “Metropolisi”, është idhulli i përsosur i epokës shekullare. Shikoni sipërfaqen e saj të lëmuar dhe do ta shihni veten të reflektuar. Fakti që çmimi është subjektiv, nuk e zvogëlon joshjen. Në fakt e rrit atë. Ndryshe nga medalja e artë olimpike, që ka dy herë më shumë se çmimet e fituara Oscar, kjo nuk dëshmon se je më i miri kundrejt orës ose objektivave të kriterit! Por, fiton miratimin nga njeriu – respektin nga votimi i kolegëve tuaj. E marrja e këtij nderi është edhe vlerë. /Telegrafi/