Site icon Telegrafi

IDF paralajmëron Hamasin pasi militantët kërcënuan se do të vrasin pengjet nëse Izraeli nuk ndalon sulmet në Gaza

Vrasja e pengjeve “nuk do t’i përmirësojë gjërat”, tha të martën një zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), një ditë pasi militantët e Hamasit kërcënuan se do të ekzekutonin robër civilë nëse Izraeli synon Gazën pa paralajmërim.

Autoritetet izraelite besojnë se në mesin e deri në 150 pengjeve që mbahen nga militantët islamikë në Gaza ka gra dhe fëmijë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Hamasi ka pretenduar se ka mbajtur më shumë se 100 robër, duke përfshirë oficerë të lartë të ushtrisë izraelite.

Lexo po ashtu Shumë viktima, të plagosur, pengje dhe të zhvendosur - gjithçka ndodhi në 33 ditë, që nga fillimi i luftimeve izraelito-palestineze më 7 tetor

“Nëse ata lëndojnë një nga këto gjyshe ose një nga këto foshnja ose një nga këta fëmijë, kjo nuk do t’i përmirësojë gjërat dhe ata e dinë këtë”, ka thënë zëdhënësi i IDF, nënkoloneli Richard Hecht.

Ndërkohë dhjetëra aeroplanë luftarakë izraelitë goditën më shumë se 200 objektiva në Gaza gjatë natës, tha IDF në një deklaratë të martën.

Sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, shpërthimet kanë vrarë të paktën 687 njerëz, përfshirë dhjetëra fëmijë dhe gra, dhe kanë lënë mijëra të plagosur.

Lexo po ashtu Presidenti palestinez i kërkon OKB-së të ndërhyjë kundër "agresionit izraelit" në Gaza

Hecht tha të martën se IDF po dërgonte disa paralajmërime përpara se të bombardonte objektivat, duke përfshirë përmes mediave sociale dhe të shtëna paralajmëruese.

I pyetur nëse IDF po bënte dallimin midis objektivave civile, qeveritare dhe ushtarake, Hecht tha se dallimi nuk ishte aq i thjeshtë.

“Në ndërtesat ku jetojnë njerëzit mund të ketë një depo armësh… mund të ketë një ‘shef’ të Hamasit që jeton atje”, tha ai. /Telegrafi/

Exit mobile version