Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi gjatë intervistës në emisionin “Përballje ditore”, me kryeredaktorin e Telegrafi.com, Muhamet Hajrullahun ka folur për pakënaqësitë e komunave të Kosovës si dhe për mos-koordinimin që e kanë pasur me Qeverinë në detyrë për vendimin e hapjes së institucioneve parashkollore.
Ibrahimi në këtë intervistë ka folur edhe për problemet që mund të kenë komunat në aspektin ekonomik pas pandemisë COVID-19.
Ai ka thënë se megjithëse kanë pasur takime me nivelin qendror, askush nuk e kishte diskutuar mundësinë e hapjes së çerdheve kaq shpejt dhe për këtë komunat nuk kanë qenë të gatshme.
Ibrahimi tha se shumë vonë e kanë pranuar një udhëzues për masat që duhen të merren për hapjen e institucioneve parashkollore.
“Ka qenë pothuajse një mos-koordinim total. Në javën e kaluar kemi qenë prezent në disa takime me Komitetin drejtues institucional sa i përket COVID-19, por askush nuk e ka ngritur një çështje të tillë, do të thotë mundësinë e hapjes së çerdheve dhe vetëm kur kemi dëgjuar dje. Komunat kanë reaguar ashtu siç është pritur, sepse duhet të kuptohet njëherë e përgjithmonë se nëse vendimi ka të bëjë me nivelin lokal, atëherë niveli lokal duhet të konsultohet paraprakisht, e jo me i vendos para aktit të kryer sepse kryetarët e komunave janë në baza ditore në komunikim me qytetarin. Vendimet e tilla të cilat vijnë në mbrëmje, për të cilat nuk është hera e parë, sepse masat zakonisht kur janë marrë, informacioni ka shkuar në mbrëmje te kryetarët dhe ata kanë pasur shumë pak kohë për aplikim e masave ditën e nesërme, por megjithatë me angazhimin e tyre kryetarët ja kanë arrit të bëjnë këtë”, tha Ibrahimi.
Ibrahimi ka thënë se për hapjen e shkollave, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka kërkuar të bëhen përgatitje të cilat sipas tij kanë kosto të lartë dhe nuk mund të realizohen për një kohë kaq të shkurtë.
“Për hapjen e çerdheve, komunat sinqerisht ju them se nuk kanë qenë të informuara deri dje lidhur me mundësinë e marrjes së një vendimi të tillë dhe për këtë arsye neve si AKK, sot kemi reaguar sepse komunat pothuajse nuk kanë qenë të përgatitura për ndërmarrjen e një hapi të tillë, po flas për hapjen e çerdheve. Javën e kaluar kemi pasur disa diskutime, me ministren e Arsimit, kolegjiumi ynë, i drejtorëve komunal të Arsimit kanë pasur diskutime me nivelin qendror, për mundësinë e hapjes ose mos-hapjen e shkollave, sepse kërkesat nga niveli qendror ka qenë që nëse hapen shkollat, atëherë kërkesat kanë qenë që dezinfektimi të bëhet në baza ditor… Kjo për komunat paraqet një kosto të lartë financiare, e cila nuk është paraparë në buxhetin e komunave, ndërsa në aspektin logjistikë është pothuajse e pamundur që të realizohen në një kohë kaq të shkurt, për këtë arsye drejtorët e Arsimit, kanë kërkuar që nëse merret një vendim i tillë, atëherë të kërkohet edhe përkrahja e Qeverisë, sidomos financiare”, tha Ibrahimi. /Telegrafi/