Gjykata Themelore e Gjilanit ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, për caktimin e e masës së paraburgimit për të miturin F.I (viti i lindjes 2005), i cili dyshohet më 22 tetor të këtij viti, shkaku i një borxhi prej 10 eurove i preu dy gishtat e dorës viktimës, R.A (1995).
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i kësaj gjykate, Sabit Shkodra.
“Ju njoftoj se gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin për të Mitur, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan, duke i caktuar masën e paraburgimit të miturit, në kohëzgjatje prej 30 ditë”, ka thënë Shkodra.
Ai ka shtuar se palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.
Ndryshe, Policia e Kosovës në një përgjigje për Telegrafin ka dhënë detaje lidhur me rastin në fjalë.
Në përgjigjen e tyre thuhet se deri te rasti erdhi si pasojë e borxhit prej 10 eurove.
“Në lidhje me rastin “Lëndim i rëndë trupor” i cili ka ndodhur më datën: 22.10.2022 në Gjilan në mes të dyshuarit (i mitur) F.I.(2005) dhe viktimës R.A.(1995). Shkaku i kësaj ngjarje dyshohet të jetë borxhi në vlerën prej dhjetë (10) euro. Pas një debati verbal i dyshuari e godet bashkë me një shok të tij viktimën me grusht e pastaj e nxjerr një mjet të mprehtë (drapër) për ta goditur viktimën në qafë mirëpo viktima në vetëmbrojtje e ngritë dorën dhe i dyshuari pas goditjes arrin ti ja pres (dëmtoj) dy gishtat e dorës viktimës dhe nga ky rast i dyshuari ka ikur në drejtim të panjohur”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Gjilanit.
Më tej policia ka njoftuar se i dyshuari ka qenë në arrati deri dje kur edhe është bërë arrestimi i tij. /Telegrafi/