Telegrafi

Ia kërkoi një futbollist kundërshtar – mësohen prapaskenat e vendimit të Ronaldos që t’ia lëshonte penalltinë bashkëlojtarit

(Foto: Screenshot/Twitter)

Superylli portugez, Cristiano Ronaldo, e ka mahnitur botën e futbollit duke e lejuar bashkëlojtarin Anderson Talisca që ta ekzekutonte penalltinë në vend të tij.

Në ndeshjen e të shtunës, 38-vjeçari kishte realizuar një gol të mrekullueshëm në ndeshjen ndërmjet Al Nassr dhe Abha për ta barazuar rezultatin në minutën e 78-të.

Më pas, në minutën e 86-të, u akordua penallti në favor të ekipit vendas në MRSOOL Park dhe CR7 ia dorëzoi topin sulmuesit brazilian, i cili është në garë për golashënuesin më të mirë të sezonit.

Mediat arabe i kanë analizuar xhirimet e prapavijës së kësaj ndodhie për momentin kur Ronaldo ia dorëzoi topin bashkëlojtarit.

Lexo po ashtu Mbi 30 metra larg porte, Cristiano Ronaldo shënon super gol nga goditja e dënimit

Sipas njoftimeve, kanë qenë futbollistët e ekipit kundërshtar që i kanë thënë Cristianos se Talisca po lufton për titullin e golashënuesit më të mirë dhe me këtë rast, portugezi është kthyer kah bashkëlojtari i tij dhe ia ka dorëzuar topin.

Para se braziliani ta shënonte golin e 14-të sezonal (një më pak se lideri Abderrazak Hamdallah), shihet Ronaldo duke e falënderuar një lojtar të Abhas për njoftimin që i kishte bërë.

“Cristiano Ronaldo është lojtar i veçantë shumë i respektueshëm. Më nderoi shumë kur ma dha ta ekzekutoja penalltinë. Ne jemi një familje”, ka deklaruar Talisca pas ndeshjes.

Edhe pse ka zhvilluar pak ndeshje, Ronaldo është golashënuesi i gjashtë më i mirë në Ligën Profesionale Saudite me nëntë gola të shënuar (gjashtë më pak se vendi i parë). /Telegrafi/