Anëtari i Kryesisë i Partisë Socialdemokrate, Zgjim Hyseni ka komentuar mundësinë e përfshirjes së këtij subjekti në qeveri.
Hyseni, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se deri më tani nuk ka pasur ndonjë komunikim zyrtar me drejtuesit e PSD-së për mundësinë e përfshirjes në qeveri.
“Ka pasur komunikime të njerëzve të ndryshëm por asnjëherë nuk ka pasur ofertë apo kërkesë për resorë të caktuar”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Duke folur për procesin e zgjedhjes së qeverisë së re, ai ka thënë se personalisht do të preferonte zgjedhje të reja por thotë se juridikisht është në rregull procesi.
“Formimi i një qeverie të re është legale pasi sistemi ynë është parlamentar. Në sisteme të pastra parlamentare si ky I yni në zgjedhje shkohet kur nuk ka parlament e jo kur nuk ka qeveri”.
Hyseni thotë se edhe moralisht LDK ka të drejt të formojë koalicion me AAK-në dhe NISMA-n pasi sipas tij partitë nuk kanë pasur vija të kuqe mes tyre.
“Ky është sistemi që ne jemi pajtuar. I pari ka përparësi por nuk mund të bllokojë gjithçka pasi nuk ka më kuptim shumica”, tha ndër të tjera Zgjim Hyseni./Telegrafi/