Hysen Çekaj, djali i heroit të luftës Sali Çekaj, ka reaguar ashpër ndaj disa deklaratave që janë bërë në lidhje me numrin e votave qe ai ka marrë nga diaspora në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Në një postim në rrjetet sociale, Çekaj ka drejtuar akuza ndaj LVV-së rreth situatës së krijuar.
Në postimin e tij, Çekaj ka theksuar se ata që dikur përdornin emrin e babait të tij, Sali Çekaj, për të siguruar mbështetje nga diaspora, sot po përpiqen ta përçajnë dhe ta baltosin familjen Çekaj dhe votën e mërgatës.
“Ata që dikur bënin fushatë duke përdorur emrin e babait tim, ata që kërkonin mbështetje brenda familjes tonë për të fituar votat e mërgatës, ata që e quanin Shtutgardin kryeqytet të mërgatës shqiptare, prej ku nisën Sali Çekaj me trima në luftë për Kosovën, ata që më kërkuan të isha pjesë e listës së tyre si kandidat për deputet (kërkesë që e refuzova, sepse unë kam lindur në LDK), sot janë organizuar me të gjitha mjetet për të baltosur emrin e familjes Çekaj dhe votën e mërgatës shqiptare”, ka shkruar Çekaj.
Kandidati i LDK-së për deputet ka shtuar se kemi jetë edhe jashtë politikës.
“Unë besoj se kemi jetë edhe jashtë politikës, edhe fytyrë; dhe mbi të gjitha dinjitet! Vazhdojmë ballëhapur drejt kthimit të LDK-së si parti kryesore, aty ku e ka vendin!”, ka shkruar Çekaj. /Telegrafi/