Telegrafi

Hysaj i pyetur se a do arrinte të ishte titullar te Italia: Jam krenar që jam shqiptar

Elseid Hysaj pati përballë në takimin e “Loro Boriçit” shokun e tij te skuadra e Napolit, Lorenzo Insigne, i cili i hapi shumë punë në të majtë të sulmit të Italisë.

Pas ndeshjes, Hysaj u shpreh me superlativa për sulmuesin e Napolit, duke pranuar se e pati të vështirë përballjen me të, ndërsa me shaka tha se është më mirë si shok skuadre se sa si kundërshtar.

Sa i përket ndeshjes, po ashtu si pjesa më e madhe e lojtarëve të tjerë, Hysaj tha se Kombëtarja ishte e pafat pasi krijoi raste dhe mund të kishte shënuar, ndërsa zhvilloi një ndeshje të mirë.

Pyetjes se a mendonte se do të ishte titullar te Kombëtarja e Venturës nëse do të ishte italian, Hysaj as që mund ta mendonte një gjë të tillë.

“Jam krenar që jam shqiptar dhe do të jap maksimumin deri në fund për ngjyrat kuqezi”, ka thënë shkodrani, transmeton TCh.

“Nuk e meritonim humbjen, pasi deri te pësimi i golit po luanim shumë mirë, por i tillë është futbolli. Insighne? Është më mirë kur e ke shok skuadre. Është një lojtar i nivelit të lartë.”

Shqipëria i mbyllë kualifikimet për Botëror me 13 pikë në vendin e tretë të Grupit G, me 10 pikë më pak se Italia në vendin e dytë dhe 15 pikë më pak se Spanja në vendin e parë.

Shqipëria në kampanjën kualifikuese kishte katër fitore, një barazim dhe pesë humbje.