Site icon Telegrafi

Hysaj: Nuk u trembemi yjeve të Italisë

Të premten ndaj Italisë është një sfidë speciale për të gjithë, kështu u shpreh Elseid Hysaj në konferencën e ditës së sotme për mediat, ku tha se kuqezinjtë nuk i tremben aspak Italisë.

Sipas mbrojtësit Shqipëria duhet të mbrohet, ndërsa mungesat nuk i bëjnë përshtypje.

“Besoj që do të jemi gati dhe do të jetë një ndeshje e bukur si për ne ashtu edhe për italianët. Yjet e Italisë? Ne duhet të mendojmë si të mbrohemi. Italia mund të bëjë më mirë duke sulmuar dhe më keq duke mbrojtur. Mirë apo keq ne i njohim vlerat e Italisë, cilët janë lojtarët, ku luajnë dhe jemi të vetëdijshëm çfarë na pret. Ne luajmë për të marrë rezultat pozitiv. Mungesa kemi parë edhe në ndeshjet e mëparshme. Çdo kush që do të luajë do të japë 100 për qind. Besoj që do të shkojmë për rezultat pozitiv. Nuk mund të themi që do të fitojmë, të barazojmë apo të humbasim. Të gjithë luajnë për të fituar. Suksesi shërben për vendin e dytë”, shprehet Hysaj.

Futbollisti shkodran nuk pranon të dëgjojë që Kombëtarja është jashtë garës në kualifikueset e Botërorit 2018, ndërsa beson se tifozët do të jenë të shumtë në stadiumin “Renzo Barbera”, transmeton TCH.

“Stadiumi është shumë i bukur, fusha do të jetë në gjendje perfekte. Shpresoj që shumë shqiptarë të gjejnë mënyrën të jenë të pranishëm për të na mbështetur si gjithmonë dhe besoj se do të kënaqen. Nga gara nuk kemi dalë ende, sepse janë edhe gjashtë ndeshje. Na shkoi keq ndeshja me Izraelin, por me ndihmën e trajnerit dhe stafit e kemi marrë veten. Do të zbresim në fushë dhe do të bëjmë më të mirën”.

Me De Biasin të shqetësuar se 23-vjeçari shkodran ka luajtur shumë ndeshje gjatë këtij sezoni, mbrojtësi i Napolit i qetëson të gjithë dhe shprehet gati për Kombëtaren.

“Për mua është kënaqësi, që në moshën 23 vjeçare i luaj të gjitha ndeshjet në Serinë A dhe në Ligën e Kampionëve. Për më tepër që vij në Kombëtare është një kënaqësi më tepër. Nuk ndjej lodhje. Gjithashtu edhe djemtë e tjerë që ndoshta kanë luajtur më pak do të japin maksimumin”, deklaroi Hysaj.

Exit mobile version