Në konferencën për shtyp para ndeshjes me Andorrën, bashkë me trajnerin Reja ishte i pranishëm edhe kapiteni Elseid Hysaj, i cili e ka lënë pas dëmtimin dhe siç deklaron edhe vetë ai është rikthyer në formën optimale në kombëtare.
Hysaj paralajmëroi shokët e skuadrës se ndeshja më e rëndësishme për momentin është ajo ndaj modestëve të Andorrës.
A është skuadra më e bashkuar se një vit më parë?
Jemi shumë më të fortë dhe të bashkuar, si jashtë, ashtu edhe brenda fushës. Janë të gjithë djem shumë të rinj dhe jemi gati të ndihmojmë njëri-tjetrin e skuadrën dhe një grup i mirë për të ecur përpara.
Si ndjeheni pas dëmtimit? A keni emocione që do të luani kundër kampionëve të botës, në një stadium të ri?
Unë personalisht jam mirë dhe luajta edhe në ndeshjen e fundit në kampionatin italian, ndaj jam gati të zbres në fushë. Stadiumi është shumë i bukur dhe do të jetë plot me tifozë, por ne duhet të mendojmë fillimisht për ndeshjen me Andorrën, që është më e rëndësishme, sepse duhet të marrim 3 pikët aty. Ndaj Francës do kemi emocione të tjera, por flasim më vonë për të.
A është stadiumi një shtysë më e madhe për të marrë një rezultat pozitiv?
Sigurisht që do të jetë një shtysë dhe emocion më i madh për të marrë rezultat pozitiv, por Franca është kampione bote dhe natyrisht që do të jetë e vështirë, ndaj duhet të japim 100%.
Fakti që flitet kaq shumë për ndeshjen me Francën, a ndikon negativisht për sfidën e nesërme ndaj Andorrës?
Sigurisht që të gjithë jashtë flasin për ndeshjen me Francën dhe është normale, por ne dhe trajneri e dimë që më e rëndësishme është ndeshja me Andorrën dhe jemi përgatitur mirë, që të shmangim surprizat e të bëjmë një 90-minutësh dinjitoz.
Teknikisht dhe taktikisht çfarë presim në ndeshjen me Andorrën?
Do të jetë një ndeshje e ngjashme me Moldavinë. Do të provojmë të sulmojmë vazhdimisht, por duhet edhe të mos marrim gol. Lojtarët janë në një moment të mirë dhe po luajnë rregullisht, ndaj kam besim se do bëjmë performancë të mirë.