Telegrafi

Hysaj: Jemi tri skuadra të forta, synojmë vendin e parë në grup

Kombëtarja shqiptare po bëhet gati për dy sfidat e Ligës së Kombeve, ndaj Islandës që do të zhvillohet më 6 qershor në udhëtim dhe më pas ndaj Izraelit më 10 qershor në shtëpi.

Në prag të kësaj sfide, për disa ditë kanë dalë në konferenca për media disa prej lojtarëve të Kombëtares shqiptare, teksa ditën e sotme ka qenë radha e Elseid Hysaj dhe Klaus Gjasulës, të cilët kanë folur në lidhje me kundërshtarët e grupit B2.

Mbrojtësi i skuadrës sonë, Elsi Hysaj, teksa iu përgjigj interesit të gazetarëve u shpreh se është 100% gati për këto sfida, ndërsa vlerëson rritjen e nivelit të skuadrës shqiptare.

Fillimisht ekipi po bën përgatitjet maksimale për udhëtimin e Islandës, ndërsa Hysaj theksoi se kjo është një mundësi e artë për Shqipërinë për të fituar grupin dhe për të shkuar në play-off.

Gati për këto ndeshje? – Ne e kemi për detyrë të jemi gjithmonë gati kur na thërrasin në Kombëtare. Kam ardhur me shumë qejf. Me të vërtetë jemi në fund të sezonit, por kemi një mundësi shumë të mirë për të ecur përpara me Kombëtaren dhe duhet të tregojmë që po vazhdojmë të përmirësohemi ccdo ditë dhe më shumë. Unë jam 100% gati, ashtu sikurse edhe çunat.

A kemi nxjerrë mësime për Islandën dhe Izraelin? – Po, u bënë disa kohë që nuk luajmë kundër, por siç kemi bërë në ndeshjen e fundit ndaj Islandës, kemi treguar që dimë të luajmë më mirë, dimë të jemi më të rrezikshëm. Dje pamë ndeshjen Izrael – Islandë dhe pamë një skuadër që po rrinte mbrapa dhe po luante në kundërsulm. Tani po përgatitemi për këtë ndeshje. Edhe në ndeshjen ndaj Spanjës që luajtëm ishim mirë, duke treguar që niveli ynë është duke u rritur ccdo ditë e më shumë dhe besoj se të gjithë jemi gati për këtë ndeshje.

Vendi i parë në grup? – Jemi tre skuadra të forta, në një nivel të afërt. E shikojmë si një mundësi vërtetë sepse të gjithë e dimë që Rusia është një ekip me nivel të fortë dhe tani që mungon kemi më shumë mundësi për t’u renditur të parët dhe për të shkuar në play-off. E dimë që kemi një mundësi të artë që nuk duhet ta shpërdorojmë dhe ta shfrytëzojmë në mënyrat më të mira. E shohim si një dritare më shumë për të shkuar në play-off.

Gati për Islandën? – Siç e thashë edhe më parë, të gjithë lojtarët që kanë ardhur këtu, kanë ardhur me qejf dhe me 100% fizik, për të ecur përpara me Kombëtaren. Besoj që jemi të gjithë gati për këtë ndeshje. Ne duhet të ikim aty dhe të shohim si do të shkojë ndeshja. Ne po analizojmë ndeshjet, do të kërkojmë të bëjmë më të mirën për të marrë rezultat në Islandë.

Gol tjetër ndaj Islandës? – Pak gola kam bërë. Shpresoj të jetë kjo ndeshje që të kem një mundësi tjetër, por nuk i dihet. Kemi parë Islandën dhe jemi përqendruar te loja e tyre.