Elseid Hysaj, në cilësinë e kapitenit të Kombëtares shqiptare, ishte në krah të trajnerit të përkohshëm Ervin Bulku, në konferencën për shtyp të organizuar para takimit ndaj Andorrës.
Mbrojtësi shkodran i kuqezinjve nuk preferoi të ndalet te shkarkimi i Christian Panuccit, duke kërkuar që skuadra të përqendrohet maksimalisht vetëm te sfida e të hënës, ku fitorja është një detyrim.
“Nuk duhet të mendojmë shumë punën e trajnerit, pasi kemi një ndeshje shumë të rëndësishme që duhet ta fitojmë patjetër. Duhet të triumfojmë për moralin e Shqipërisë dhe për moralin tonë, ndaj të shohim përpara dhe të përqendrohemi te ky takim. Duhet të fitojmë edhe për të qëndruar brenda objektivave tona”.
“Me njohjen që kam me çunat, jemi të gjithë me mendjen që këtë takim (ndaj Andorrës) duhet ta fitojmë patjetër. Nuk duhet të mendojmë për asgjë tjetër, por vetëm për takimin e nesërm, të cilin duhet ta fitojmë patjetër”.
“Unë besoj se (situata në zhveshtore) është shumë e mirë, pasi kemi humbur vetëm një ndeshje dhe lufta vazhdon. Çunat janë në formë shumë të mirë, ndaj besoj që e kemi marrë veten edhe moralisht, dhe jemi gati të zbresim në fushë për fitore nesër”, citon SuperSport fjalët e tij.
Lidhur me shprehjen e Panuccit se “këta futbollistë janë”, Hysaj është shprehur: “Nuk e di nga i buronte ky mosbesim, por çdo trajner ka mendimet e veta për lojtarët në dispozicion dhe bën punën e tij me ta. Unë besoj shumë te ky ekip dhe ndonëse ne këta jemi, kam mendimin që do të bëjmë diçka spektakolare. Panucci e ka tërësisht gabim mendimin e tij”.
“Është e vërtetë që këta janë lojtarët, por janë të njëjtët që çuan skuadrën në Francë dhe i bënë të lumtur. Këta lojtarë kanë aftësinë të ndryshojnë momentin dhe të na rikthejnë te suksesi”.