Kapiteni i kombëtares shqiptare Elseid Hysaj ishte në krah të trajnerit Edoardo Reja në konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj Andorrës. Hysaj theksoi se është e vështirë që kombëtarja të vijë me moral të lartë në këtë sfidë pas asaj humbjeje të thellë ndaj Anglisë, me mbrojtësin e Lazios që shtoi se humbja ndaj “tre luanëve” do të përpiqet të harrohet sa më shpejt.
“Është një humbje e thellë dhe na ka ulur pak motivimin, por këto ditë kemi qëndruar të bashkuar, është një humbje që duhet harruar, kemi dhe një ndeshje tjetër dhe do të kërkojmë maksimumin për t’i mbyllur në mënyrën më të mirë këto eliminatore”.
Hysaj e pranoi se shkalla e vështirësisë përballë një ekipi si Anglia ishte maksimale.
“Ishte një humbje vërtetë e rëndë por nuk duhet të harrojmë që luajtëm ndaj Anglisë, një kundërshtari që ka në përbërje lojtarë të kalibrit të lartë botëror, gjithsesi kjo humbje do të na shërbejë si një mësim për t’u ringritur”.
Hysaj paralajmëroi shokët e skuadrës të mos e marrin lehtë Andorran që sipas tij është një ekip që ka ditur të na hapë probleme në të shkuarën.
“Historia na thotë që Andorra është një ekip që bezdis të gjitha skuadrat dhe nuk është e lehtë të përballesh. Por ne gjatë këtyre viteve jemi rritur, jemi përmirësuar, jemi një skuadër më e fortë se më parë. E dimë që Andorra është një ekip i rrezikshëm, por ne do të hymë në fushë për të fituar. Vendi i 3-të është një pozicion i mirë për ne, e kemi vendosur disi në rrezik por gjithsesi besojmë që do ta mbyllim grupin me 18 pikë. E kemi vlerësuar maksimalisht Andorrën dhe do të kërkojmë 3 pikët në këtë sfidë”, përfundoi ai. /ss/