Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, në një intervistë për Uefa.com ka falënderuar fansat që ishin në stadium në takimin kundër Zvicrës, për të cilët ka thënë se janë të jashtëzakonshëm.
Përkundër që Shqipëria u mposht nga Zvicra me rezultat minimal prej 1-0, tifozët Kuqezi nuk u ndalën së përkrahuri djelmoshat e Gianni de Biasit, të cilët bënë një paraqitje fantastike përkundër që ishin me një lojtar më pak në fushë pas përjashtimit të Lorik Canës, transmeton Koha.net.
“Atmosfera ishte e veçantë, si gjithmonë me këta tifozë, të cilët vërtetë ishin prapa nesh gjatë gjithë takimit dhe kanë qenë aty gjatë gjithë rrugëtimit që ka qenë shumë i rëndësishëm për ne dhe për këtë dua t’i falënderoj ata nga thellësia e zemrës sime”, ka thënë Hysaj.
Hysaj më tutje ka shtuar se ekipi bëri një paraqitje të mirë, dhe përkundër humbjes fokusi duhet të jetë në gjërat pozitive.
“Ndërsa sa i përket takimit, ishte një ndeshje fantastike, besoj se luajtëm shumë mirë dhe krijuam shumë raste të mira shënimi, prandaj duhet të fokusohemi në gjërat pozitive”, është shprehur ai.