Site icon Telegrafi

Hyrja e xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës, nënkryetari i Kamenicës: KFOR-i tha se kishin patrullime të përbashkëta

Nënkryetari i komunës së Kamenicës, Faton Jakupi ka njoftuar se pas informatave se xhandarmeria serbe ka hyrë në fshatin Karaçevë të Kamenicës, ka kontaktuar KFOR-in, të cilët i kanë thënë se kishin patrullime të përbashkëta KFOR-i amerikan, turk dhe pala serbe.

Përmes një postimi në Facebook, Jakupi ka thënë se pavarësisht kësaj ende nuk ka marrë përgjigje nga KFOR-i se përse është lejuar xhandarmëria serbe të futet në territorin e Kosovës.

Lexo po ashtu Dalin pamje të reja të xhandarmërisë serbe në Karaçevë, kërkohet intervenimi i KFOR-it dhe institucioneve qendrore të Kosovës

“Pas marrjes së informatës se Xhandarmëria serbe futet në territorin e Republikës së Kosovës, menjëherë kam kontaktuar me KFOR, konkretisht me LMT-rajoni Lindje dhe nga ta u informova se sot me datë 07.08.2020 paskan pas patrullime të përbashkëta KFOR-i Amerikan, Turk dhe pala serbe. Po pse është lejuar që xhandarmëria serbe të futet në këtë pjesë të territorit të Kosovës ende nuk kam marrë përgjigje nga KFOR. Shqetësuese janë këto patrullime edhe nëse janë të përbashkëta. Nga kjo që u pa sot, kërkova takim urgjent me KFOR për të diskutuar dhe kërkuar që mos të përsëriten më këso ngjarjesh”, ka shkruar ai.

Lidhur me këtë rast ka reaguar mbrëmë edhe kryetari i kësaj komune, Qëndron Kastrati i cili e ka quajtur këtë një provokim dhe terrorizim i qytetarëve të kësaj ane.

Ndryshe, banorët e fshatit Karaçevë të Kamenicës janë shprehur tejet të brengosur, për faktin se nëpër parkingun e një restoranti të këtij fshati janë parë dhe filmuar pjesëtarët e xhandarmerisë serbe duke kaluar.

Ndërkohë, kryetari i organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati ka reaguar duke thënë se është një turp i madh që institucionet e Republikës së Kosovës nuk reagojnë dhe nuk marrin asnjë veprim me atë që ka ndodhur ku xhandarmëria serbe është futur në territorin e Kosovës në fshatin Karaçevë të Kamenicës. /Telegrafi/

Exit mobile version