Site icon Telegrafi

Hungaria: BE të çelë negociatat me Shqipërinë në qershor. E papranueshme shtyrja e vendimit

Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë të Hungarisë, Péter Szijjártó zhvilloi një vizitë zyrtare në Budapest.

Gjatë konferencës së përbashkët ministri i Jashtëm i Hungarisë tha se “Bashkimi Europain duhet t’i hapë negociatat me Shqipërinë në muajin qershor”.

Ai theksoi se “do të ishte e papranueshme shtyrja e vendimit për çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE”.

Gjatë takimit ministri Jashtëm hungarez Péter Szijjártó shtoi se “siguria dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është i rëndësishëm si dhe ndikon drejtpërdrejtë edhe në sigurinë e Europës Qendrore”.

Ndërkohë ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj deklaroi se “Shqipëria mbetet shpresëplotë për hapjen e negociatave, kjo bazuar në rezultatet e arritur deri më sot nga zbatimi i Reformës në Drejtësi e deri te Reforma në Administratën Publike”.

“Këshilli do të vendosë pozitivisht për hapjen e negociatave për anëtarësim në muajin qershor”, theksoi ministri në detyrë Cakaj.

Të dy ministrat ndanë vlerësimin për marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve si në aspektin politik, por edhe ekonomik.

Ministri në detyrë Cakaj dhe ministri hungarez Szijjártó firmosën dy marrëveshje, të cilat do të rrisin më tej bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.
Në takim u diskutua edhe për kryesinë shqiptare të OSBE-së në vitin 2020, ku palët u dakordësuan për bashkërendimin e mëtejshëm të aktiviteteve dhe bashkëpunimin mes dy vendeve.

Exit mobile version