Tensionet diplomatike po përshkallëzohen midis Gjermanisë dhe Hungarisë pasi Budapesti anuloi një takim midis Ministrit të Jashtëm, Peter Szijjarto dhe homologes gjermane, Annalena Baerbock, i cili ishte planifikuar të hënën në Budapest.
Anulimi i pazakontë i minutës së fundit erdhi pasi kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe liderë të tjerë të Bashkimit Evropian kritikuan ashpër udhëtimin e kryeministrit hungarez, Viktor Orban në Moskë, ku të premten u takua me presidentin rus, Vladimir Putin.
Baerbock planifikoi të kritikonte takimin e liderit hungarez me atë rus gjatë një vizite në Budapest të hënën. Por “për habinë tonë, pala hungareze e anuloi” takimin me Szijarto “me një njoftim të shkurtër”, tha një zyrtar i Ministrisë së Jashtme gjermane, raporton politico.
“Duke pasur parasysh udhëtimin e papritur dhe të pakoordinuar të kryeministrit Orban në Moskë, një diskutim personal serioz dhe i sinqertë midis dy ministrave të jashtëm do të ishte shumë i rëndësishëm. Na vjen keq për anulimin”, tha zyrtari, duke shtuar se udhëtimi do të riplanifikohej për një datë të mëvonshme.
Një zyrtar hungarez tha se ministria e jashtme gjermane dhe ambasada e saj në Budapest ishin informuar për arsyen e vonesës, por nuk pranoi ta bënte atë publike.
Të premten, Scholz iu bashkua udhëheqësve të tjerë të BE-së në dënimin e Orbanit për takimin me Putinin, duke vënë në dukje se lideri hungarez, vendi i të cilit mori presidencën e radhës të Këshillit Evropian në fillim të këtij muaji, “po udhëton drejt Putinit si kryeministër hungarez, jo si një përfaqësues i BE-së”. /Telegrafi/