Site icon Telegrafi

Humbja e tretë radhazi për Barcën, çfarë do të ndodhë me titullin? (Video)

Valencia e ka turpëruar Barcelonën para tifozëve në Camp Nou duke e mposhtur me rezultat 1-2.

Mysafirët ishin të parët që shënuan. Ata  arritën t’i bëjnë ballë presionit të vendasve dhe madje të realizojnë. Goditja e Guilherme Siqueiras u devijua nga Ivan Rakitic dhe u ndal në rrjet (26’).

Los Che i shokuan të gjtihë duke shënuar edhe golin e dytë. E gjitha erdhi falë Daniel Parejos, i cili gjeti hapësirë ndërmjet mbrojtësve dhe asistoi te Santiago Mina. Spanjolli 20-vjeçar e pranoi topin në zonë dhe e dërgoi në rrjet (45’+1).

Në këtë mënyrë, skuadra në të cilën luan Shkodran Mustafi, shkoi në pushim me epërsi të dyfishtë.

Në fraksionin e dytë, mysafirët e shtuan presionin dhe falë këtij angazhimi, rezultati u ngushtua. Në qendër të këtij aksioni ishte Lionel Messi. Argjentinasi e pranoi një top në mes dhe pasoi te Alba. Spanjolli shkoi në krah dhe asistoi në zonë, aty ishte Messi për ta shënuar golin e 450-të me Barcelonën dhe të 500-tin në total në karrierën e tij mbresëlënëse.

Katalunasit krijuan edhe disa raste shënimi deri në fund, ndërsa në mbyllje të sfidës, vizitorët patën dy raste jashtëzakonisht të mira që i shpërdoruan.

Me këtë humbje, Barcelona mbetet me pikë të barabarta me Atletico Madridin në krye të tabelës, derisa Real Madridi është vetëm një pikë prapa. Tashmë gjithçka është e hapur sa i përket titullit të La Ligas kur kanë mbetur edhe pesë xhiro për t’u zhvilluar. /Telegrafi/

Exit mobile version