Telegrafi

Humbja e thellë ndaj Bodo/Glimt, njollë në reputacionin e Jose Mourinhos

Roma pësoi një humbje poshtëruese me rezultat 6-1 ndaj norvegjezëve të Bodo Glimt në Ligën e Konferencave të Evropës, në atë që ishte humbja më e madhe e Jose Mourinhos në karrierën e tij të shquar me shumë trofe.

Konkurrenca mund të mos jetë e një rëndësie maksimale për disa nga klubet më të mëdha që marrin pjesë në këtë garë, por natyra e humbjes është e sigurt që do të vendosë një njollë në reputacionin e Mourinhos.

Roma shkoi në pushim me rezultatin 2-1, pasi përgjysmoi deficitin pas një fillimi të shkëlqyer nga vendasit. Megjithatë, në pjesën e dytë, portat u hapën pasi mbrojtja e Romës kapitulloi, duke sjellë një rezultat të jashtëzakonshëm për vendasit.

Zemërimi i Mourinhos

Mourinho nuk e fshehu zhgënjimin e tij pas ndeshjes, duke marrë fajin për përzgjedhjen e ekipit, por duke e bërë të qartë se lojtarët kishin dështuar.

“Vendosa të luaj me këtë formacion, kështu që përgjegjësia është e imja”.

“E bëra me qëllime të mira, për t’u dhënë një mundësi atyre që punojnë shumë dhe për të ndryshuar skuadrën në një fushë sintetike në mot të ftohtë”.

“Unë kurrë nuk e kam maskuar faktin se ne kemi një skuadër të kufizuar. Kemi 13 lojtarë që përfaqësojnë një ekip, të tjerët janë në një nivel tjetër”.

“Ne humbëm kundër një ekipi që tregoi më shumë cilësi. Është kaq e thjeshtë”, deklaroi Jose Moutrinho pas lojës.

Lidhjet e Newcastle

Mourinho ishte lidhur me postin e trajnerit te Neëcastle në javët e fundit, me ish-trajnerin e Tottenhamit që shihej si një kandidat ideal për këtë rol, ndërsa ai vetë pranoi se kishte një ‘lidhje emocionale’ me klubin për shkak të marrëdhënies së tij të ngushtë me ish-legjenda e këtij klubi, Sir Bobby Robson.

Rezultati i ndeshjes së fundit mund të ngrejë presion mbi të dhe akuzat mund të drejtohen ndaj Mourinhos, edhe pse ai nuk ishte i shqetësuar nga thashethemet.

Humbja më e madhe e Mourinhos

Rezultati 6-1 nga skuadra norvegjeze është humbja më e keqe e Mourinhos në karrierën e tij si trajner.

I vetmi rezultat tjetër që e humbi me pesë gola diferencë, ishte humbja famëkeqe 5-0 ndaj Barcelonës, ndërsa ishte trajner i Real Madridit në vitin 2010 në Camp Nou.

Duke parë nivelet e kundërshtareve në këto dy ndeshje, kjo humbje e fundit mund të cilësohet si njollë e madhe në karrierën e tij. /Telegrafi/