Kosova si njëri ndër shtetet më të fundit në rajon që është prekur me coronavirus, këto ditë ka kaluar 70-ditëshin që nga rasti i parë i konfirmuar.
Por, falë masave të Ministrisë së Shëndetësisë, angazhimit të stafit mjekësor, policor, ushtarak etj., është mundësuar që sadopak të ndalet hovi i përhapjes së kësaj pandemie.
Duke e parë gjendjen aktuale në terren, Organizata “Humanity First”, dega e Gjermanisë, në bashkëpunim me Shoqatën “AMJ” më datë 22 maj 2020 ka vendosur t’i dalë në ndihmë Policisë së Kosovës, përkatësisht Drejtorisë Rajonale në Pejës. Njëra ndër arsyet e ndihmës është sepse policët janë heronjtë e vërtetë dhe ndër personat më të rrezikuar nga infektimi, meqë janë në frontin e parë në luftimin e këtij virusi, thuhet në njoftim.
Sasia e dhuruar përfshinë: 300 shishe dezinfektues për duar, 250 shishe pastrimi me përbërje alkooli, 2000 doreza dhe 300 maska. Pranim-dorëzimi i materialit u bë në zyret e Drejtorisë Rajonale në Pejë, dhe të pranishëm ishin disa zyrtarë policorë si dhe vullnetarë të kësaj organizate.
Fadil Gashi, nga zyra për informim e Policisë Rajonale të Pejës, ka falënderuar përzemërsisht për bashkëpunimin institucional dhe ofrimin e ndihmës në këtë kohë të vështirë. /Telegrafi/