Në hulumtimin e bërë nga Bellingcat, skuadra ruse e armëve kimike që kishte ndjekur udhëheqësin e opozitës Alexei Navalny për vite me radhë, para se të helmonte atë me agjentin nervor Novichok, ishte përfshirë me të paktën tre vrasje të tjera.
Gjatë muajit dhjetor 2020, një hulumtim i përbashkët midis Bellingcat, The Insider, Der Spiegel dhe CNN, kishte zbuluar të dhëna që implikojnë Shërbimin e Brendshëm rus të Inteligjencës (FSB) në helmimin e kritikut të Kremlinit.
Duke përdorur të dhënat e udhëtimit, ky hulumtim e lidh njësinë e FSB-së me vrasjet e gazetarit Timur Kuashev, aktivistit Ruslan Magomedragimov dhe politikanit Nikita Isayev.
Gazetari Timur Kuashev ishte gjet i vdekur në një pyll afër shtëpisë së tij në Republikën e Kaukazit të Veriut të Kabardino-Balkaria, pasi u zhduk në fund të korrikut të 2014-së.
Para vdekjes së tij, ai ishte ankuar për kërcënime të vazhdueshme nga zyrtarët e zbatimit të ligjit. Hetimi për vdekjen e Kuashevit është ende duke vazhduar. Hetuesit mjekësor kishin gjetur një shenjë të shiringës nën sqetullën e tij.
Operativi i FSB-së, Konstantin Kudryavtsev, i cili ishte angazhuar në helmimin e Navalnyt, më vonë kishte rrëfyer këtë helmim, arriti në qytetin e Nalchikut më 13 korrik 2014. Ditët në vijim, anëtarët e tjerë të njësisë së FSB-së, Ivan Osipov, Denis Machikin dhe Roman Matyushin kishin fluturuar për në aeroportet e afërta. Të tre agjentët u kthyen në Moskë më 31 korrik dhe 1 gusht, ditën kur u gjet trupi i Kushaevit.
Ruslan Magomedragimov, një aktivist i lëvizjes qytetare “Uniteti”, u gjet i vdekur afër Makhachkalas në Republikën e Dagestanit më 24 mars 2015.
Arsye zyrtare e vdekjes së tij ishte asfiksimi, por të afërmit e tij kishin treguar se në qafën e tij kishte shenja e injeksionit të bërë nga një shiringë.
Agjenti Osipov fluturoi në Makhachkala dy herë në janar të 2015-së, ndërsa Kudryavtsev fluturoi ndërmjet datave 11-16 mars. Osipov fluturoi në Vladikavkaz më 20 mars dhe u kthye në Moskë më 26 mars.
Nikita Isayev , ish-kreu i lëvizjes “Rusia e Re” kishte vdekur më 16 nëntor 2019 në një tren, i cili po udhëtonte nga Tambov për në Moskë.
Pak para vdekjes së tij, ai ishte emëruar si këshilltar për zhvillim rajonal nga kreu i partisë, Sergei Mironov. Gjatë karrierës së tij, ai avokoi për çështje mjedisore në rajonet e Rusisë. Shkaku i tij zyrtar i vdekjes ishte një sulm në zemër, por trupi i tij u djeg para se të dilnin rezultatet e autopsisë.
Hulumtimi tregon se agjentët e FSB-së kishin ndjekur Isayevin që nga dhjetori i 2018-së, duke përfshirë dy anëtarë të ekipit që kishin ndjekur Navalnyn – Ivan Osipov dhe Alexei Alexandrov. /Telegrafi/