Telegrafi

Hoxhaj: Urime Jugosllavia e re Albin!

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës, për nismën për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare për Lirinë e Lëvizjes dhe Qëndrimit të shtetasve të Shqipërisë, Bosnje Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë Veriore dhe Serbisë.

Përmes një postimi në Facebook, Hoxhaj tha se “Kryeministri Albin Kurti ende pa e nisur zyrtarisht dialogun me Serbinë, sot paska marrë vendim për nisjen e zbatimit të mini-shengenit ku Kosova nuk trajtohet e barabartë me vendet e rajonit”.

“Kohë më parë kur ishte në opozitë, këtë nismë rajonale Albini e quante Jugosllavi e re. E pra tani me dorën e tij e nisi Jugosllavinë e re andaj urime Albin!”, shkruan Hoxhaj.

Lexo po ashtu Qeveria miraton nismën që i lejon qytetarëve të Kosovës dhe Bosnjës udhëtimin vetëm me letërnjoftime

Ndryshe, Qeveria e Kosovës sot miratoi unanimisht nismën për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare për Lirinë e Lëvizjes dhe Qëndrimit të shtetasve të Shqipërisë, Bosnje Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë Veriore dhe Serbisë.

Kjo marrëveshje u mundëson qytetarëve të Kosovës dhe atyre të Bosnje dhe Hercegovinës që të hyjnë në territorin e njëra-tjetrës me letërnjoftim biometrik. /Telegrafi/