Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës, për nismën për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare për Lirinë e Lëvizjes dhe Qëndrimit të shtetasve të Shqipërisë, Bosnje Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë Veriore dhe Serbisë.
Përmes një postimi në Facebook, Hoxhaj tha se “Kryeministri Albin Kurti ende pa e nisur zyrtarisht dialogun me Serbinë, sot paska marrë vendim për nisjen e zbatimit të mini-shengenit ku Kosova nuk trajtohet e barabartë me vendet e rajonit”.
“Kohë më parë kur ishte në opozitë, këtë nismë rajonale Albini e quante Jugosllavi e re. E pra tani me dorën e tij e nisi Jugosllavinë e re andaj urime Albin!”, shkruan Hoxhaj.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës sot miratoi unanimisht nismën për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare për Lirinë e Lëvizjes dhe Qëndrimit të shtetasve të Shqipërisë, Bosnje Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë Veriore dhe Serbisë.
Kjo marrëveshje u mundëson qytetarëve të Kosovës dhe atyre të Bosnje dhe Hercegovinës që të hyjnë në territorin e njëra-tjetrës me letërnjoftim biometrik. /Telegrafi/